Ndryshe nga çfarë ishte premtuar, dje në Rinas erdhi vetëm një kuti me vaksina nga “Pfizer”. Sipas kontratës së bërë publike, duhet të vinin brenda janarit 10 530 doza dhe brenda shkurtit 30 420 doza të tjera.
Por ato nuk erdhën. Nga dera e avionit ku priste Kryeministri pas një takimi prej rreth 40 minutash me gazetarë, u shkarkua nga dy punëtorë një kuti me 195 flakonë, ose 1170 doza vaksinë. E njëjta sasi që erdhi nga një vend mik (pa emër) më 11 janar. Por ndryshe nga dhurata enigmatike, këtë radhë vaksinat kanë edhe eksportues, edhe importues të deklaruar.
Sasia e re e vaksinave vjen një ditë para se Kryeministri Rama dhe mjekët e Infektivit të injektojnë dozën e dytë. Kjo e domosdoshme për mbrojtjen e plotë nga virusi. Dhe sasia përkon pikërisht me dublimin e detyrueshëm. Por Rama dje theksoi se, është parashikuar që brenda shkurtit të vijnë të 41 mijë dozat e vaksinës së premtuar nga kompania. “Zotimi i marrë nga Pfizer-i është që brenda muajit, në javët në vijim, – nuk po jap data se këtu u bë histori ndryshimesh të vazhdueshme, jo për shkakun tonë, – ama brenda muajit shkurt do të vijnë edhe dozat e angazhuara, qoftë 10750, qoftë dhe 31 mijë. Pra, të 41 mijë dozat që ishin të parashikuara për periudhën e fundit të janarit dhe fillimit të shkurtit janë të angazhuara nga Pfizer-i”.
Së bashku me dy sasitë e para, deri në fund të shkurtit pritet të mbërrijnë 43200 vaksina. Një numër që shërben për vaksinimin e plotë të bluzave të bardha (rreth 23 mijë me nga dy doza). Plani i vaksinimit parashikon këtë kategori prioritare për mbrojtje, dhe shifrat përkojnë pikërisht me këtë numër. Në kontratën me “Pfizer”, të publikuar nga “gogo.al”, parashikohet që pjesa tjetër, prej 458 640 vaksinash, të vijnë pas tremujorit të dytë. Kontrata kështu parashikon mbrojtjen e mjekëve dhe infermierëve, edhe pse qeveria insiston se këto vaksina do të përdoret edhe për moshën e tretë.
KUR U PAGUAN VAKSINAT
“Mendoj që sa na takon neve dhe si e lexojmë ne kontratën, ai nuk ka shkelur kontratën me ne”. Kjo ishte përgjigjja e Kryeministrit pas pyetjes nëse do të përballej në gjyq me “Pfizer” për vonesën e vaksinave. Sipas kontratës së bërë publike, 10530 vaksinat duhet të vinin në janar. Më saktë brënda javës së tretë të janarit, pra brenda 21 janarit. Por duket se ka një arsye, dhe jo thjesht morale, pse qeveria nuk mendon “që t’i shkojmë ‘Pfizer’-it mbrapa nëpër gjykata”. Kontrata me “Pfizer” parashikon parapagim të sasive të vaksinave që duhet të vijnë në Shqipëri. Vendimi, “Për kryerjen e parapagimit të dozave të vaksinave dhe të pagesave përkatëse, që rrjedhin nga marrëveshja e nënshkruar për prodhimin dhe furnizimin, ndërmjet ‘PFIZER EXPORT B.V.’”, mban datën 20 janar. Ministrja Manastirliu konfirmoi në Kuvend, më 28 janar, parapagesën prej 2,8 milionë USD për Pfizer. Kjo pikë e kontratës, pra parapagimi, është një kusht i fortë, që nëse është shkelur, apo vonuar nga qeveria, nuk ia lë fajin “Pfizer”-it për mbërritjen e vaksinave me vonesë.
VAKSINAT BORXH
Një ndër pretimet, e përsëritura edhe dje, ishte ai i dhurimit të disa vaksinave për Kosovën. Rama ftoi dje mjekët e infektivit në Kosovë të vijnë në Tiranë për t’u vaksinuar pasi kontrata nuk e lejon Kryeministrin të dhurojë vaksina. “Kjo, e pamundësisë për të dhënë vaksina te të tretë jashtë territorit, nuk është kusht vetëm për ne, por për të gjithë. Kjo është arsyeja pse vendi tjetër, që ne nuk ua themi emrin, nuk dëshiron që ta bëjmë të ditur faktin që na dha vaksina”
I pyetur nëse vendi mik ka shkelur kontratën me dhuratën e fshehtë të 11 janarit, Rama nuk dha një përgjigje direkte. “Ju keni hall se është shkelur kontrata, apo duhet të themi që ne jemi të zotë që i bëmë miqtë tanë që ta shkelin kontratën për ne”.
Në fakt, vaksinat borxhë erdhën duke shkelur një ndër rregullat bazë të “Pfizer”, mosndryshimin e destinacionit. Pra, vaksinat e blera nga një vend as dhurohen dhe as shiten te një vend tjetër. Kjo e bën pak më të paqartë se kush është vendi, sipas Ramës i BE-së, që shkel një marrëveshje të tillë. Vendimi i ministrit, Kryeministrit apo edhe Presidentit të atij vendi do të vinte në dyshim vaksinimin e popullit të tij, për t’i bërë nder qeverisë.
Në kontratën me “Pfizer”, të botuar nga “gogo.al”, (Rama dje e quajti draft) ka një detaj të vogël në pjesën e palëve që duhet të njoftohen për çdo ndryshim të kontratës. Krahas Ministrisë së Shëndetësisë, degës së “Pfizer” në Holandë që merret me kontratat e eksportit, për çdo ndryshim duhet të njoftohet edhe dega e “Pfizer” në Serbi. “Pfizer SRB d.o.o. Tresnjinog cveta 1/VI, 11070 Novi Beograd, Serbia”. Pra pjesë e kontratës së Shqipërisë me Pfizer, është edhe dega në Serbi.
Në kontratë nuk thuhet se çfarë roli ka dega e Beogradit. Kjo mund të jetë dega e “Pfizer” për Ballkanin, apo ndonjë pikë “strategjike” medicinale për rajonin. Por një gjë është e sigurtë. Sikundër theksoi dje Rama dhe Manastirliu, “ne Shqipëria, dhe përveç nesh, edhe Serbia” kanë filluar të vaksinojnë në rajon.
Burimi: Panorama.al