Haris Fakic nuk është më drejtori sportiv i Dinamos, klubi kryeqytetas zgjedh ish-kapitenin

Dinamo

Dinamo është në organizim e sipër për sezonin e ri, ku synon t’i japë fundit tranzicionit të gjatë dhe të rikthehet në nivelet e larta të futbollit shqiptar.

Klubi kryeqytetas, përveç punës në merkato për skuadrën e re, ka riorganizuar edhe strukturën e vet drejtuese, duke plotësuar çdo hallkë të nevojshme për mbarëvajtjen e punës. Stafi teknik është konfirmuar zyrtarisht nga presidenti Adrian Bardhi. Blutë do të drejtohen nga trajneri Dritan Mehmeti, me ndihmës Fatjon Tafajn dhe Ilir Bozhiqin, si dhe italianin Corrado Sakone, si përgatitës atletik.

Risia e strukturës së re është emërimi i Luan Pinarit në postin e drejtorit sportiv, ku zëvendëson Haris Fakiç. Pinari u afrua në klub më shumë sesa një vit më parë, fillimisht si pjesë e stafit të Mehmetit dhe prej verës së kaluar iu besua posti i drejtorit të akademisë së Dinamos. Ish-kapiteni do të mbikëqyrë sërish akademinë, ku tashmë është afruar edhe një tjetër dinamovit, si Erjon Xhafa. Presidenti Bardhi ka si qëllim të afrojë në klub sa më shumë dinamovitë dhe pak kohë më parë një tjetër ishkapiten, Arjan Pisha, ka marrë drejtimin e ekipit U-17.

Pinari tashmë ka si detyrë parësore atë të drejtorit sportiv te 18 herë kampionët e vendit. Ai, bashkë me drejtuesit e tjerë të klubit dhe stafin teknik, do të përpiqen të sjellin në skuadër futbollistët e nevojshëm për të përmbushur objektivat e Dinamos. Blutë synojnë që të zënë një vend në 4-shen e parë dhe do të tentojnë t’i shkojnë deri në fund Kupës së Shqipërisë, çka përkthehet me pjesëmarrjen në kupat e Europës.

Related posts

Nëntë zyrtarizime! Besa nuk ndalet në merkato, prezanton ish-futbollistin e Flamurtarit (FOTO)

Vllaznia bind në miqësoret e zhvilluara, tjetër sukses kundër ekipit boshnjak

AF Elbasani nis përgatitjet pa trajner, klubi verdheblu drejtohet nga ish-lojtari i Superiores (video)