Gjyqtarja e arrestuar për korrupsion kërkon lirinë/ “Gjendja shëndetësore e djalit tim është rënduar, vajza ka braktisur shkollën”

Gjyqtarja e Krujës, Enkeleida Hoxha, ka kërkuar në Gjykatën e Posaçme ndryshimin e masës së sigurisë “Arrest me burg”.

Nëpërmjet kërkesës që ajo ka dorëzuar në Gjykatë, gjyqtarja e arrestuar për korrupsion shprehet se fëmijët e saj ndodhen në një gjendje jo të mirë, dhe se për këtë ndaj saj duhet të zbutet masa e sigurisë.

“Gjendja shëndetësore e djalit tim është rënduar. Ai ka nevojë për kujdesin tim. Vajza e mitur ka braktisur shkollën që pas arrestimit tim”, thuhet në kërkesën e saj.

Kërkesa e saj është dorëzuar nga avokati që mbron interesat e gjyqtares Hoxha, Ardian Visha. Në kërkesë thuhet se kolegët e saj duhet të marrin në konsiderate gjendjen e saj familjare dhe ta lënë të paktën në “Arrest shtëpiak”.

Kjo masë, sipas saj, do të shërbente që të qëndronte pranë djalit të vetëm që është i prekur nga një formë e rëndë e autizmit. Gjithashtu, në argumentet e saj, gjyqtarja thekson se prindërit e saj janë të moshuar (babai i vuan nga sëmundja e Parkinsonit) dhe se nuk mund të kujdesen dot për të dy fëmijët.

Mësohet se kërkesa pritet të shqyrtohet brenda pesë ditëve nga GJKKO. Kërkesa në fjalë vjen një ditë pasi gjyqtarja doli para Këshillit të Lartë Gjyqësor, ku u shqyrtua kërkesa për shkarkimin e saj, ndërsa seanca u shty për në datën 11 mars.

Inspektorati i Lartë i Drejtësisë më herët ka bërë kërkesë për shkarkimin e gjyqtares Enkelejda Hoxha, pasi emri i saj lidhet me lirimin e shumë të dënuarve me burg përjetë, mes tyre edhe Endrit Dokle, Genc Tafilit, apo Hekuran Billa, i vrarë pak muaj më parë në Tiranë.

Burimi: Panorama

Related posts

Mbi 20 persona përfundojnë në spital/ Ja çfarë ndodhi papritur në Bulqizë

E RËNDË! Po lahej në liqenin e Kukësit, humb jetën i moshuari

Luhaten monedhat e huaja/ Këmbimi valutor për ditën e sotme, 6 korrik 2024