Kryebashkiaku i arrestuar i Tiranës, Erion Veliaj, nga qelia në burgun e Durrësit, i pranosur për korrupsion dhe pastrim parash prej dy javësh vijon sulmin e paprecedentë ndaj prokurorit Ols Dado dhe gjyqtarit Erion Bani.
Kërcënimet kanë arritur kulmin kur Veliaj paturpësisht, nëpërmjet statuseve të tij të mbushura me gënjeshtra, ku shkruan:
“Por, ky ‘kolegu’ im Ols Angoni as nuk e ka idenë se me kë është ngatërruar, megjithëse e quan veten Bruce Willis hajvani dhe u tregon muskujt atyre ushtarëve të BKH-së (tani hajde Bruce, jepi, fute edhe këtë te kërcënimet që i kam bërë kafkës tënde të mbështjellë me shollë). Nuk e ka idenë, dështaku, dhe nuk ka se si ta ketë në fakt, po do t’ia mësoj unë”.
Gjuha e përdorur prej tij “e ke personale me mua” është gjuhë që përdorin kriminelët, banditët, anëtarët e grupeve kriminale ndaj njerëzve të drejtësisë. Këtë gjuhë ka përdorur sot Erion Veliaj, gjuhën e një banditi.
Veliaj përdor gjuhën e një krimineli dhe banditi nga qelia, që të ndalen dëshmitarët, të tërhiqet prokurori nga çështja, të tremben gjyqtarët në vazhdim, sepse Erion Veliaj “të bën namin”.
Ndaj kësaj gjuhe kriminale të përdorur nga Veliaj, e cila në fakt është një kanosje ndaj prokurorit dhe në këtë mënyrë kryebashkiaku i arrestuar vetëm rëndon situatën e tij ligjore, vihet re një distancim nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë.
KLP nuk ka pasur asnjë reagim dhe asnjë distancim nga kanosjet, fyerjet dhe sharjet e Veliajt ndaj prokurorit Ols Dado dhe gjyqtarit Erion Bani.
KLP, në mënyrë të paprecedentë ka zgjedhur të heshtë përballë një tjetër vepre penale që po kryen Veliaj në rastin e kanosjes së prokurorit.