Shpesh është e lehtë për tifozët të harrojnë se futbollistët profesionistë dhe të famshëm në nivelin më të lartë janë gjithashtu qenie njerëzore. Kështu edhe Cristiano Ronaldo me Georgina Rodriguez nuk janë ndryshe, në fund të ditës mbeten njerëz si ne.
Sulmuesi portugez pësoi atë që konsiderohet si një nga dhimbjet më të rënda emocionale që një njeri mund të durojë kur humbi një fëmijë në prill të 2022. Cristiano dhe Georgina humbën një nga binjakët e tyre.
Georgina ishte shtatzënë me binjakë, por fatkeqësisht solli në jetë vetëm njërin nga foshnjat, pasi djali i tyre vdíq gjatë procesit ndërsa vajza gëzon shëndet të plotë. Rodriguez ka pranuar se ky episod ka qenë periudha më e keqe e jetës së saj, madje ka pyetur veten se si mund të vazhdonte përpara.
“Këtë vit kam përjetuar momentin më të mirë dhe më të keq të jetës sime njëkohësisht,” u shpjegoi Rodriguez gazetarëve për një radio spanjolle.
“Një pjesë e madhe e zemrës sime u thye dhe pyeta veten se si mund të vazhdoja. Përgjigjen e kisha më afër se sa e kisha menduar, shikova në sytë e fëmijëve të mi dhe aty pashë mënyrën e vetme për ta bërë këtë, të ishim të gjithë bashkë”.
Vdekja e foshnjës së Rodriguez dhe Ronaldos do të shfaqet në seritë e dokumentarit të Netflix të quajtur “Unë jam Georgina”, i cili përqendrohet rreth jetës së saj.
“Seriali i ri do të shfaqë momente të trishtimit më absolut dhe humbjes që pësoi Georgina, është diçka që mund t’u ndodhë njerëzve që kanë gjithçka si ajo dhe njerëzve që nuk kanë asgjë”, konfirmoi Alvaro Diaz në FestTVal.