Presidenti i klubit të Partizanit Gaz Demi ka mirëpritur sot ekipin Partizani U-16, i cili ka rregjistruar një rekord origjinal në këtë sezon futbollistik. Djemtë e drejtuar nga trajneri Algert Hurdha dominojnë me meritë kampionatin me pikë të plota 51, teksa përgjatë 17 javëve të luajtura regjistrojnë plot 17 fitore me një golavarazh mbreslënës 64 gola të shënuar dhe vetëm 8 të pësuar.
Presidenti Gaz Demi dhe drejtori përgjithshëm Olsi Rama përgjatë një dreke të organizuar në ambientet e restorantit të kompleksit sportiv kanë përgëzuar 16 vjeçarët e kuq për këtë ecuri fantastike, duke i motivuar “rekordmenët” e moshave që shumë shpejt do jenë edhe pjesë e ekipit të parë. Drejtuesit më të lartë të klubit kanë theksuar se të gjitha ekipet e Akademisë Partizani kanë mbështetjen dhe vëmendjen maksimale.
NDESHJA NDAJ VLLAZNISË
Të kuqtë e Algert Hurdhës nuk ndalen as në javën e 17-të, duke mposhtur një rival direkt për titullin kampion, Vllazninë, me rezultatin spektakolar 3-2. Kulmi i spektaklit erdhi në minutën e 70-të, kur Odisea Gjati realizoi një perlë të vërtetë, duke dërguar topin në trekëndëshin e portierit shkodran dhe ngritur në delir të gjithë të pranishmit në “Arenën e Demave”.
Me këtë fitore, Partizani U16 regjistron plot 17 fitore në po aq ndeshje, duke kryesuar kampionatin me 51 pikë të plota dhe një golavarazh mbresëlënës 64-8. Skuadra e drejtuar nga Algert Hurdha vazhdon të dëshmojë superioritetin e saj dhe synon të mbyllë e fazës së dytë në mënyrë perfekte.