Kryeministri Edi Rama ka zbuluar dje se qeveria ka bërë gati bonusin e fundvitit për pensionistët. Në një bashkëbisedim me qytetarë në bashkinë e Përmetit, Rama u ndal te masat që po merr qeveria për të luftuar inflacionin e luftës, ndërsa është ndalur edhe tek pensionistët, për të cilët tha se i dridhet zemra kur flet për ta. Prerë dhe qartë, kryeministri Rama premtoi se pavarësisht luftës dhe krizës ekonomike që ka mbërthyer vendin e madje botën, pensionistët do të marrin këtë fundvit bonusin. “Më dridhet zemra kur flas për pensionistët se e di shumë mirë, duke qenë dhe gati 2 metra, më mirë të qep gojën se të flas për këtë gjë se nuk e bëjmë dot atë që meritojmë, por të paktën atë që i bën të marrin frymë të papenguar. Në këto kushte, 2 herë i kemi bërë indeksimin. Të paktën, ajo pak të mos bëhet dhe më pak. Nuk kemi bërë herën e dytë paketë rritjeje të përkohshme. Po bëjmë gati bonusin e fundvitit. Luftë apo jo, bonusin e fundvitit do e marrin një me një”, deklaroi ai. Kujtojmë se bonus përfitojnë të gjithë kategoritë e pensionistëve.
Qeveria: Paga minimale 40 mijë lekë
Më tej kryeministri Edi Rama, nga Gjirokastra u shpreh se paga minimale do të rritet deri në 40 mijë lekë më shpejt nga sa ishte parashikuar. “Kriza erdhi pa na pyetur. Ne do bëjmë çmos që edhe rritjen e çmimeve ta përballojmë së bashku duke vendosur më shumë financa në pozicion të njerëzve, kemi indeksuar dy herë pensionet dhe 15 % pensionet. Jemi mbrapa me rritjen e pagave, por po punojmë në këtë drejtim, është koha që edhe ju të paguani më shumë punonjësit qe t’i keni këtu, të kthehen nga Greqia. Paga minimale 400 mije lekë do arrijë më shpejt sesa ishte parashikuar brenda mandatit. Në buxhetin e 2023 kemi vendosur një financim të veçantë, do kemi buxhet dyfish. Do ta çojmë pagën minimale 400 mijë lekë. Duhet të rrisim të gjitha pagat e punonjësve të shtetit. Nuk kemi një paketë tjetër, por kemi bërë një rritje të qëndrueshme. Në buxhetin e 2023 do të vendosim një financim të veçantë për të përballuar situatën. Do të kemi dyfishin e buxhetit të 2013”, u shpreh ai.
Ndërtimet pa leje, Rama kritika opozitës
Po ashtu, kryeministri Edi Rama, gjatë takimit me qytetarët në Gjirokastër foli edhe për ndërtimet pa leje. Kreu i qeverisë gjatë fjalës së tij theksoi dje se ata që kanë frymëzuar ndërtimet pa leje po ata kanë shkuar në Gjykatë Kushtetuese për të rrëzuar vendimin e qeverisë për të rrëzuar konfiskimin e ligjshëm dhe marrjen për t’ia dhënë njerëzve dhe shtetit metrat katrorë pa leje. “Për Rilindjen urbane thoshin fasada, fasada. Por jo, por kujt t’ia thuash atyre që akoma sot nuk heqin dorë nga ideja që kanë frymëzuar ndërtime pa leje apo atyre që shkojnë në Gjykatë Kushtetuese, parti politike që do të marrë pushtetin, për të rrëzuar vendimin e qeverisë, për të rrëzuar konfiskimin e ligjshëm dhe marrjen për t’ia dhënë njerëzve dhe shtetit të gjithë metrat katrorë të ndërtuar pa leje. Këta që më akuzojnë mua që mbështesim oligarkë që i kemi ne , i kam unë kullat që do tu merret çdo metër katror e hotel që i kanë bërë pa leje, këta shkojnë në GJK për ta rrëzuar. Imagjinoni çfarë paraje po mblidhet për të blerë rrëzimin e një vendimi, kaq të rëndësishëm e kaq domethënës për të mos lejuar më , jo të bëjnë apartamente e dyqane pa leje në kulla e pallate, por të mos bëjnë më asnjë shtesë në shtëpi tradicionale”, tha ai.
Kryeministri flete për çmimin dhe krizën e energjisë
Ndërkohë kryeministri Edi Rama në Gjirokastër, u ndal tek kriza energjetike që kë prekur gjithë botën. Sipas Ramës, Putin ka si qëllim rrëzimin e Perëndimit nga dimri, sepse Europës i janë kufizuar burimet e energjisë, ndërsa paralajmëroi se do të jetë një dimër i vështirë. Në fjalën e tij kryeministri Edi Rama u ndal edhe tek rritja çmimit të energjisë elektrike, ku tha se qeveria do të bëhet mburojë që qytetarët të mos ndjejnë në faturë rritjen e çmimit të energjisë. Sa i përket vendosjes së fashës 800 kilovat në muajin nëntor, Rama theksoi se do të shikohet ecuria e motit si dhe kursimi që do të bëjnë qytetarët. “Basti i Putinit është rrëzimi i Perëndimit nga dimri, por flitet për një dimër që do të jetë më i vështiri i për ne dhe për Evropën, sepse Europës i janë kufizuar burimet e energjisë elektrike dhe të ngrohjes. Qeveria ka vendosur që të mbrojë qytetarët nga rritja e çmimit të energjisë. Në faturën tuaj ajo që nuk duket është ajo që paguan buxheti. Nuk do të lejojmë që kriza energjetike të shfaqet në faturën tuaj, pasi jemi kthyer në mburojë. Tani jemi duke parë nëse do krijohet një mundësi që mos të vendoset fasha në muajin nëntor. Për t’u krijuar kjo mundësia na duhet të kemi reshje. Jam me një mërzi të brendshme bashkë me kolegët e mi sa herë nuk shohim shi. Por nga ana tjetër na duhet edhe kursim”, nënvizoi Rama.