Gara e 6 marsit/ Ku ndryshon Berisha nga Basha?!

Gara mes dy PD-ve për zgjedhjet e pjesshme lokale në gjashtë bashki, nuk ndryshon vetëm për mënyrën se si Basha dhe Berisha i kanë zgjedhur kandidatët për Shkodrën, Durrësin, Lushnjen, Dibrën, Rogozhinën dhe Vorën.

Berisha në të gjithë tubimet e tij pothuajse i ka sulmuar në të njëjtën pikë kanditatët e Bashës, duke i quajtur si përfaqësues të Lulzim bravës, duke bërë një diferencë të ndjeshme me ata që anëtarësia i ka caktuar me votën e saj. Ai arriti kulmin, kur në Shkodër, e krahasoi Xhemal Bushatin me personazhin e famshëm të Zef Dedës “kunatin e shokut Xhemal”.

Por gjithësesi, përzgjedhja demokratike nuk është e vetmja diferencë me metodën e centralizuar të grupimit të vulës. Edhe në formë edhe në thelb Berisha ka zgjedhur një rrugë krejt tjetër nga pasardhësi i vet. Dhe kjo duket në një pikë: ai është prezent kudo ku kandidatët e foltores organizojnë mitingje me elektoratin, në Sukth, në Durrës, në Dibër, në Shkodër.

Pra figura e liderit historik është qëndrore në fushatën e “shtëpisë së lirisë”. Sepse strategjia e Berishës është ta kthejë këtë sfidë në kombëtare, kundër qeverisjes së Ramës dhe asaj që ai e quan si pseudo opozita e Bashës. Jo më kot ai thotë kudo se kjo është një sprovë për të rikthyer pluralizmin e asgjesuar nga narko-shteti.

“Këto nuk janë vetëm zgjedhje për 6 bashki, ato në fakt janë për gjithë Shqipërinë. Sepse këto zgjedhje shënojnë fitoren e parë të revolucioni tonë paqësor për përmbysjen e narko shtetit dhe hapin rrugën për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Këto zgjedhje duhet të shënojnë kthesën e madhe, për Dibrën dhe Shqipërinë”, tha ai të dielën gjatë prezantimit të kandidatit Premtim Kryemadhi.

Ndërsa taktika e Bashës është krejt tjetër. Ai pothuajse ëshë zhdukur nga fushata. Kandidatët e tij në rastin më të mirë i kanë prezantuar zv/ kryetarët në takime të ngushta. Duket sikur Basha do ti lërë më shumë hapsirë personazheve lokalë duke dhënë mesazhin e kundërt, pra se këto nuk janë zgjedhje me konseguenca për gjithë vendin, por një përpjekje për ti shërbyer qytetarëve ku ato zhvillohen. I pyetur po të dielën se a do të dorëhiqej nëse pësonte në 6 mars humbjen e radhës, ai i rëshkiti përgjigjes duke thënë se donte të fliste vetëm për skandalin korruptiv të inceneratorëve.

Basha po bën gjithçka për të mos i dhënë kësaj sfide pompozitetin e asaj që do të ndriçojë se kush është shumicë brenda të djathtës. Por përpos kësaj zgjedhje mos prezenca e tij ka edhe shpjegime të tjera.

Së pari Basha e pa se lëvizja e tij në rrethe nuk qe e lehtë. Kudo që provoi të shkelë jashtë Tirane, ai u prit me protesta dhe ofendime nga mbështetësit radikalë të Berishës. Dhe në një fushatë përsëritja e këtyre imazheve do të qe një autogol i pa nevojshëm. Duke lënë si violina të para secilin prej të përzgjedhurve lokalë, ai po shmang njëkohësisht edhe ndeshjen brenda llojit.

Një faktor tjetër është edhe rënia pikiatë e popullaritetit të tij që mund ta shndërrojë liderin nga ndihmë në barrë për kandidatët.

Ashtu sikurse tregoi edhe sondazhi i fundit i Euronews përlqyeshmëria për Bashën ka zbritur, nga 66.8 %, që ka qenë në Gusht, kur ai përjashtoi Berishën, në 38.7 ne mes të janarit, kur MRB dhe Data Centrum bënë matjen e fundit. 

Pra edhe për këto dy arsye Basha me sa duket nuk do të jetë prezent në fushatë.

Deri në 6 mars, me gjasë, ne do të shohim Berishën të përfshirë me mish e me shpirt në garë, duke e shndërruar atë në një sfidë kombëtare dhe pasardhësin e tij të munguar, që do e trajtojë të tërën si një problem lokal.

Related posts

Mblidhet kryesia e PD, ja data kur do të mbahet protesta kombëtare

Deklarata e fortë e Spiropalit: Unë dhe treçereku i ministrave e deputetëve mund të mos jemi më në…

Manastirliu në SPAK/ Vokshi zbardh detajet e bujshme: Ja shuma marramendëse e paguar nga ministrja për maskat mbrojtëse!