Galatasaray kërkon të bëjë të vetin mbrojtësin shqiptar Ardian Ismajli. Lojtari, kontrata e të cilit me Empolin skadon në qershor, mund të jetë protagonist i një transferimi të minutës së fundit.
Edhe sepse nuk u larguan lojtarët e tjerë që ishin potencialisht në merkato (Fazzini dhe Goglichidze, por edhe Anjorin), drejtuesit e Empolit duket se duan që të përfitojnë nga kjo mundësi.
Pas zërave për Napolin dhe Juventusin, qendërmbrojtësi shqiptar kërkohet zyrtarisht nga klubi turk.
Mbetet për t’u parë se sa do të jetë oferta dhe nëse Empoli do të pranojë të lërë liderin e mbrojtjes të largohet në mes të sezonit.
INTERESIMI PËR ISMAJLIN
Ardian Ismajli i ka mahnitur të gjithë këtë sezon, me paraqitjet e treguara në Serie A me fanellën e Empolit. Mbrojtësi i Shqipërisë, është kthyer në një titullar të padiskutueshëm dhe është një nga më të spikaturit në kampionatin italian.
Duke parë formën e shkëlqyer, në gjurmët e tij janë vënë klube të mëdha, si Juventus, Inter, Fiorentina dhe Napoli. Interesimet janë konfirmuar edhe nga trajneri i Empolit, Roberto D’Aversa, i cili duke folur për shqiptarin, tha se mund të mos e kenë pas janarit, duke lënë të nënkuptohet se mund të shitet.
“Ne flasim pak për Ismajlin sepse ekziston rreziku që të mos e kemi në janar”, tha trajneri. Sipas raportimeve nga Italia, Juventusi duket skuadra favorite për të nënshkruar me Ismajlin, por nuk përjashtohet edhe lëvizja në ndonjë klub tjetër.