Diego Longo nuk do të jetë më trajner i Flamurtarit. Dështimi i misionit “Superiore”, zeron shanset për qëndrimin e italianit. Megjithëse e mori skuadrën në javët e fundit, kushti ka qenë i qartë: ngjitja në elitë. Gjë që nuk u arrit as direkt dhe as nëpërmjet “play out”-it, ndonëse kishin një buxhet milionerësh. As klubi dhe as trajneri nuk kanë dalë me një deklaratë zyrtare për “divorcin”, të paktën deri tani.
Gjasat janë që në nisje të javës që vjen, Flamurtari të ketë emrin e trajnerit të ri, i cili do të nisë më pas edhe punën për ndërtimin e skuadrës. Në tavolinën e Sinan Idrizit deri më tani janë shtatë kandidatë, po që lista mund të shtohet ditaditës. Bledar Devolli është një opsion.
Gjirokastriti ka drejtuar disa ekipe në Shqipëri dhe së fundi e mbylli me Drenicën në Superligën e Kosovës. Klodian Duro po ashtu, që më parë ka drejtuar Lushnjën, Feronikelin, Luftëtarin, Kamzën dhe Kukësin. Në Vlorë përflitet edhe Migen Memelli, ish-trajneri i Skënderbeut. Për stolin e kuqezinjve po diskutohet edhe një tjetër ishfutbollist, Artim Pollozhani.