Flamurtari do ta ketë trajnerin i ri brenda 15 qershorit. Ky është afati që është vendosur nga bordi i klubi vlonjat, i cili po shqyrton kandidaturat. Së fundmi, një tjetër emër si kandidat i mundshëm po qarkullon në Vlorë. Pikërisht, bëhet fjalë për Shpëtim Duron, i cili mund të rikthehet te kuqezinjtë.
Zbulohet se trajneri 65-vjeçar me një karrierë të pasur në trajnim, si brenda, ashtu edhe jashtë vendit, ka qarkulluar orët e fundit në klubin vlonjat si një nga kandidatët më potencialë për të marrë drejtimin e Flamurtarit në Superiore. Suhareka ka qenë skuadra e fundit që Duro ka drejtuar në sezonin 2024-2025, ndërsa më parë ka pasur eksperiencë edhe te Struga. Por CV-ja e Duros është nga më të pasurat dhe bordi drejtues i klubit po e shikon me seriozitet një rikthim të tij te kuqezinjtë.
Ai ka drejtuar më parë Partizanin, Besën, Skënderbeun, Vllazninë, Kukësin, Laçin dhe Egnatian. Jashtë Shqipërisë, Shpëtim Duro ka pasur eksperienca të suksesshme edhe te Shkëndija e Tetovës, si dhe Drita e Gjilanit. Duro e ka drejtuar Flamurtarin në sezonin 2016-2017, teksa la gjurmë pozitive te kuqezinjtë. Pikërisht për shkak të kësaj pune pozitive që ka bërë me vlonjatët, drejtuesit e klubit janë duke parë edhe mundësinë e Shpëtim Duros në krye të pankinës vlonjate.
Por edhe vetë Duro duket se e mirëpret një rikthim të mundshëm te Flamurtari në Vlorë. Burime pranë ish-trajnerit zbulojnë se Duro ka nostalgji për Vlorën dhe nuk do të refuzonte një ofertë për t’u rikthyer në qytetin bregdetar.
1 comment
Comments are closed
Add Comment