Fitore me stil “Gege”, ADN e kuqe po kthehet! Dyshja me Haxhian, a po funksionon marrëdhënia drejtor-trajner?

Partizani i sivjetshëm është një skuadër mesatare dhe pa eksperiencë, sidomos pas largimeve të janarit.

Pjesa më e madhe e kundërshtarëve arrijnë ta dominojnë dhe humbjet deri para pak kohësh vinin në “breshëri”, njëra pas tjetrës. Kur një skuadër e madhe vuan, e vetmja gjë që i mbetet është prestigji, mentaliteti fitues dhe pesha e fanellës. Për hir të së vërtetës, Partizani, me një trajner serb si Veselinoviç dhe me pas edhe Abilaliajn, i kishte shumë të venitura këto cilësi, të cilat i ka trashëguar falë djersës, mundit dhe gjakut që është derdhur në fushë me breza të tërë.

“ADN” E KUQE

Për të rikthyer ADN-në, duhet dikush që e di formulën dhe që buron nga familja e kuqe. Personat që mund ta bëjnë këtë, numërohen me gishtat e njërës dorë, teksa këtë herë u vendos për Skënder Gegën. Ish-mbrojtësi i Partizanit dhe i Kombëtares, trajner kampion me Partizanin në vitin 2019, vendosi të rikthehet të ndihmojë skuadrën e kuqe, edhe pse në një moment aq të vështirë, sa jo çdokush do ta merrte guximin ta bënte. Por ja që Gega e bëri, i bazuar tek aftësitë e tij, por edhe tek organika e klubit, që është një nga më të strukturuarit në vend. E ka drejtuar në vetëm dy ndeshje dhe e ka stërvitur rreth një javë, por kaq ka mjaftuar që Gega të risjellë te Partizani mentalitetin fitues dhe të rikthejë besimin te lojtarët.

LOJA

Mbetet një problem, sepse është çështje cilësie. Në rrjetet sociale lexojmë komente të tilla si: “As Guardiola nuk i bën derman kësaj skuadre”. Dhe deri diku kanë të drejtë, sepse ky Partizan është shumë i limituar dhe nuk mund të presim që të japë spektakël apo të dominojë kundërshtarët, përfshirë edhe Egnatian, një nga skuadrat më cilësore të Superiores. Por, nëse Guardiola nuk do t’i bënte derman, Gega ia ka gjetur “melhemin” në mënyrën e tij.

STIL “GEGE”

Nëse do të ktheheshim në kohë nja gjashtë vite dhe do të kujtonim Partizanin kampion, një nga gjërat e para që do të kujtonim është pragmatizmi dhe fitoret e shumta 1-0. Në atë sezon, tropojani e drejtoi skuadrën në 44 ndeshje, 24 prej të cilave i fitoi dhe plot 12 apo gjysma e tyre ishin me avantazh të vetëm një goli. Sepse Partizani i Gegës i tillë është. Mbrohet mirë mbrapa dhe nuk pëson lehtë dhe përpara pret gabimin e kundërshtarëve. Në dy ndeshjet e para kundër Laçit dhe Egnatias ka rezultuar lëvizje efikase, duke arritur dy fitore minimale, njëra më e rëndësishme se tjetra. Vazhdimit nuk i dihet, por populli ka thënë se fillimi i mbarë është gjysma e punës.

DYSHJA ME 2 FITORE – Te Partizani jemi mësuar që në vitet e fundit drejtori dhe trajneri të kenë një marrëdhënie të ngjashme si vjehrrat me nuset e djemve kur gjërat nuk shkojnë mirë. Gjithnjë ka bërryla, kundërshti, që reflektohen edhe në merkato apo në paraqitjet e ekipit. Në momentin aktual duket se situata është ndryshe. Drejtori teknik i sapoemëruar i Partizanit, Sokol Haxhia, ishte një nga personat që mbështeti ardhjen e Gegës dhe së bashku kanë edhe një shoqëri të vjetër të krijuar. Bashkëpunimi i tyre ka nisur mjaft mirë, teksa gjatë verës do të jetë edhe momenti kyç, pasi duhen gjetur lojtarët e duhur për ta ngjitur Partizanin në nivelin që duhet.

Related posts

“E kishim përgatitur ndeshjen për fitore”, Bledar Hodo nuk njeh limite: Kam besim të plotë te këto djem

” 30 vjet trajnim s’më ka ndodhur ndonjëherë kështu”, Ilir Daja ankohet pas barazimit me Teutën: Kishim rastet tona…

EKSKLUZIVE/ Fitorja ndaj Flamurtarit, mësohet premio e majme për lotjarët e Besës (SHUMA)