Filmi “Nëntori i dytë”, ja pse u hoq pjesa kur Isa Boletini luftonte me serbët

Eriona Vyshka, specialiste në Arkivin Qendror të Filmit tregon mbi kërkimet për të gjetur pjesën e censuruar nga filmi “Nëntori i dytë” të cilën regjisori Viktor Gjika e përmend në kujtimet e tij. Në fillim të viteve 80-të regjisorit Viktor Gjika, në prag të jubileut të 70-të të Pavarësisë së vendit, do ti linte idea për të realizuar një prodhim kinematografik mbi ngjarjen më të rëndësishme për shqiptarët.

Në kujtimet e lëna pas, regjisori tregon për këtë moment:“E vetmja vështirësi që nuk u kapërcye dot ishte vendimi i Komisionit të Kontrollit Paraprak për të hequr nga filmi episodin “Beteja tek ura me tre harqe”, në të cilën Isa Boletini detyrohet të ndeshet me ushtarët serbë, që të hapë rrugën për të qenë prezent në momentin e Shpalljes së Pavarësisë. Ishte pikërisht kjo betejë që e çoi Isën në Vlorë dy ditë me vonesë.

Episodi ishte mjaft dramatik. Peisazhi i ashpër malor, ura antike, lumi plot ujëra të turbullta, përleshja trup më trup aty mbi urë dhe kapja rob e ndëshkimi i oficerit serb Mitroviç, masakruesi i kosovarëve në fillim të filmit, e bënin atë episod sipas kolegëve të mi që arritën ta shohin filmin e pacensuruar, një nga më të bukurit të xhiruar prej meje në kinematografi. Po nuk qe e thënë! U ngul këmbë që episodi të hiqej, ndryshe filmi nuk do të shfaqej”, shkruan Gjika në kujtime.

Çfarë përmbante pjesa e humbur e filmit?

Ky ishte episodi i betejës së Isa Boletinit dhe njerëzve të tij me serbët. Ai ishte nisur nga Kosova për të ardhur në Vlorë për shpalljen por nuk e arriti datën 28 pikërisht se u vonua duke luf.tuar në këtë betejë, e kështu arriti 2 ditë pas shpalljes së Pavarësisë.Edhe në histori kështu ka ndodhur.

Por, duke qenë se në atë kohë, në vitin 1982 kur po prodhohej filmi, marrëdhëniet me ish-Jugosllavinë ishin të acaruara, atëherë e hoqën këtë episod nga filmi, që të mos bëhej shkak për përkeqësim të marrëdhënieve, pasi në këtë betejë u bë një kasaphanë e vërtetë me serbët.

Në dokumentacionin që kemi në AQSHF, ka mbetur vetëm një foto që dëshmon për këtë episod, një foto e Isa Boletinit (Reshat Arbana) dhe çetës së tij si edhe materialet e shkruara të filmit, skenari letrar dhe ai teknik në të cilin zbërdhehet episodi në fjalë. Sot, të gjitha materialet janë të disponueshme për studiuesit në AQSHF.

Related posts

Ja sa herë në javë duhet të lani flokët gjatë verës

Kjo është temperatura ideale për kondicionerin në këto ditë të nxehta

“Profecia” e asteroidit të Nostradamusit bëhet e vërtetë?! Ja çfarë thotë parashikuesi