Trajneri i Partizanit, Aleksandar Veselinoviç, ka theksuar pas fitores 2-1 ndaj Dinamos se ka qenë një sukses i rëndësishëm për ekipin e tij, teksa rritja e tij tashmë ishte e dukshme për të gjithë.
“Ndjej detyrë të falënderoj djemtë tanë, për qasjen, motivimin dhe si e përballuan këtë ndeshje. Po ashtu shpreh mirënjohje për të gjithë stafin për punën për këtë ndeshje, faleminderit edhe tifozëve për përkrahjen. Dua të them që kemi luajtur ndaj një kundërshtari mjaft cilësor. Dinamo prej më shumë se dy muajsh nuk ka humbur ndeshje, para ca ditësh kanë fituar me Elbasanin me lojë e rezultat. Dhe nuk është aspak e lehtë të luash e përgatitesh për një kundërshtar të tillë. Ndërsa sa i përket qasjes e lojës tonë, këtë ia lë publikut ta analizojë.
Ne ende na pret në të ardhmen ndeshja më e mirë. Nëse e keni ndjekur ecurinë e këtij ekipi, nëse shihni zhvillimin si në aspektin individual dhe ekipor, ai është i dukshëm. Por jemi ekip shumë i ri. Është ende në fazën e zhvillimit dhe ky ekip ka ende për të mësuar gjëra thelbësore në futboll. Mundohemi çdo ditë edhe në stërvitje apo kur jemi në krye të detyrës që të bëjmë këto gjëra.
Dinamo është ekip shumë cilësor dhe që njihen në lojën e tyre, është ajo që anon më shumë nga ndërtimi i lojës nga poshtë. Ai është vetëm një segment me të cilin jemi marrë. Duhet të themi nga ana tjetër që Dinamo është përgatitur dhe është marrë me gjërat tona gjithashtu.
Detyra jonë në përgjithësi është të luajnë të gjithë dhe të jenë të gatshëm të ndihmojnë ekipin në raport me kundërshtarin. Personalisht i dua shumë dhe i admiroj të rinjtë, kënaqem kur punoj me ato dhe në gjithë karrierën time i kam përdorur. Kushdo që ka punuar me lojtarë të rinj, e di se çfarë kënaqësie ka kush punon me ta. Kote është një diamant i futbollit shqiptar.
Duhet të përshtatemi ndaj çdo situate. Siç e shihni Hadrojn që është lojtar kombëtareje nuk mund ta shfrytëzojmë prej 5 javësh. Nga ana tjetër luan në atë pozicion Bytyçi që nuk është se ka luajtur më parë, por sjell energji shumë të mirë te ekipi. Kam dëgjuar kohët e fundit shumë kritika për Carën, por ka shënuar dy herë e ka dhënë asiste, ka sakrifikuar për ekipin siç kanë bërë edhe Rrapaj e të tjerë. Dua të shpreh mbështetjen për kombëtaren e Shqipërisë për dy ndeshjet e vështira që ka. Do të jem fizikisht i pranishëm në stadium dhe do të sjell një energji pozitive.
Raporti me lojtarët? Mbase kjo është pyetje me lojtarët, duhet të pyesni ato si ndjehen, por unë jam shumë i kënaqur dhe i motivuar”, u shpreh Veselinoviç për RTSH pas ndeshjes.