Europa mban frymën sot, pritet short “bombë” në Champions!

Tetë skuadrat çerekfinaliste të Ligës së Kampioneve do të mësojnë sot emrat e kundërshtarëve të tyre në raundin e ardhshëm.

Mançester Siti vijon të jetë favorit për të arritur suksesin e parë europian këtë sezon, ashtu siç kuotat e kompanive europiane të basteve e kuotonin edhe në fillim të sezonit.

Fitorja me rezultatin e përgjithshëm 8-1 ndaj Lajpcigut në fazën e 1/8-ave, ku Erling Haland shënoi 5 gola në harkun e një ore, i rikonfirmoi “Qytetarët” e Pep Guardiolës si skuadrën për t’u mundur në këtë edicion të Champions-it. Pas kampionëve të Anglisë renditet Bajerni i Mynihut, i cili vjen pas një prove bindëse në 1/8-at kundër PSG-së.

Ndërsa në vend të tretë, gjenden kampionët në fuqi të Realit të Madridit, që mposhtën me rezultatin 6-2 Liverpulin në raundin e shkuar dhe u rikonfirmuan si kandidaturë shumë e fortë për të mbrojtur trofeun dhe ngritur atë për herë të 15-të në histori. Vlen për t’u përmendur se Napoli lë pas dy skuadrat e tjera italiane, Interin dhe Milanin. Skuadra e Luçiano Spaletit jo vetëm është lëshuar drejt titullit kampion në Serinë A, por pretendon të jetë një kandidaturë shumë e fortë deri në fund të kompeticionin europian.

SOT SHORTI – Shorti i çerekfinaleve të Ligës së Kampioneve do të hidhet sot në Shtëpinë e Futbollit europian në Nion të Zvicrës, ora 12:00. Bajerni i Mynihut, Benfika, Çelsi, Interi, Mançester Siti, Milani, Napoli dhe Reali i Madridit do të mësojnë emrat e rivaleve që do të kenë përballë në këtë raund. Shorti është i hapur, pra nuk do të ketë ndarje në vazo të ndryshme për të shmangur duelet mes klubeve nga i njëjti vend apo ato që janë ndeshur në të njëjtin grup këtë sezon.

Tetë goglat me emrat e ekipeve çerekfinaliste do të vendosen në një vazo të madhe. Skuadra e parë që do të kapet do ta luajë ndeshjen e parë në shtëpi. Procedura do të përsëritet deri në përcaktimin e katër çifteve çerekfinaliste. Bashkë me shortin e çerekfinaleve sot do të përcaktohet edhe ai i dy çifteve gjysmëfinaliste. Ndeshjet e para të dueleve çerekfinaliste do të luhen të martën dhe të mërkurën e 11 dhe 12 prillit, ndërsa ato të kthimit do të mbahen në datat 18 dhe 19 prill.

Gjysmëfinalet do të luhen në datat 9-10 dhe 16-17 maj, ndërsa finalja e këtij sezoni do të zhvillohet të shtunën e 10 qershorit në Stamboll. Duhet kujtuar se prej sezonit 2021-‘22 rregulli i golit në fushë kundërshtare nuk vlen më. Pra në rast se dy ndeshjet do të përfundojë në barazim golash, atëherë do të shkohet në kohën shtesë dhe në rast se edhe atje nuk do të ketë fitues, atëherë ai do të përcaktohet nga penalltitë.

Related posts

Teuta e nis sezonin me rinovime, dy titullarët pjesë e skuadrës edhe për një sezon

AF Elbasani gjen menjëherë zëvendësuesin e Nevil Dedes, pritet firma me trajnerin e njohur

Filip Najdovski bën prapakthehu, mbrojtësi hedh firmën mbi kontratë (FOTO)