Mbiemri juaj nuk ka pse të jetë Jenner ose Kardashian, që të jeni në gjendje të përfitoni nga postimet në mediat sociale, pasi një gjeneratë e re influencuesish po dëshmon rritje dita-ditës. Me pagesa që arrijnë deri në 2000 euro për një postim, kjo industri po përqafohet edhe në Shqipëri…
Nga Deada Hyka
Nuk ka mundësi të mos e njihni Chiara Ferragni-n. E re, e bukur, një bionde italiane që u shndërrua në një nga influencueset më të pasura në botë, ‘profesion’ i cili i erdhi duke qenë një ‘street style’, me një blog mode në moshë të re. Biznesi i saj në fushën e shitjeve me pakicë tashmë vlerësohet në rreth 30 milionë dollarë në vit. Ndjekësit e saj kanë arritur 18.5 milionë, për krahasim, duke tejkaluar të gjithë popullsinë e Holandës. Frymëzim për vajzat e reja që duan të jenë blogere dhe ndër pionieret e brezit të influencuesve, në kohën e zhvillimit të marketingut digjital.
Por si lindi ‘epoka e influencuesve”? Çfarë i bën ata të jenë një brez i tërë, profesion i ri, biznes i mirëfilltë në vrullin e zhvillimit teknologjik të ditëve tona?
Influencuesit kanë ekzistuar pothuajse për aq kohë sa ka pasur të famshëm apo VIP, por zhvillimi i mediave sociale u dha atyre një shtysë dhe mundësi të reja. Rastet e para të reklamimit të produkteve të famshëm ndodhën që një shekull më parë, kur familja mbretërore reklamonte prestigjin e mallrave luksoze.
Një kategori e re e influencuesve të famshëm evoluoi në shekullin XX me njerëzit që argëtohen duke ndjekur aktivitetet e aktorëve të famshëm, muzikantëve dhe atletëve profesionistë. Në shumë mënyra, njerëzit e famshëm e iniciuan këtë tendencë.
Ndërsa njerëzit janë larguar nga media tradicionale dhe kanë kaluar më shumë kohë në mediat sociale, trendet e modës e kanë zhvilluar më tepër këtë grup influencuesish.
Këta ndikues modernë janë personalitete të mediave sociale me audiencë besnike të krijuar përmes një komunikimi të rregullt, të drejtpërdrejtë me ndjekësit e tyre. Sipas tyre, ky profesion kërkon punë dhe investim në kohë.
Olti Curri, si e revolucionarizoi tregun prej një dekade
Tregu i influencuesve në Shqipëri ka nisur të njihet veçse vitet e fundit dhe një ndër pionierët e kësaj fushe, për të cilën i gjithë komuniteti bie dakord, është Olti Curri. Momentalisht (por shifrat ndryshojnë vazhdimisht) ai ka 255 mijë ndjekës në “Instagram”.
Olti tregon se gjithçka filloi rreth 10 vite më parë, në platformën “Facebook”, ku nisi të operojë si një komunitet, me ndjekës që shtoheshin dita-ditës.
Sipas tij, për një pjesë të mirë të influencuesve shqiptarë që numëron tani, gjithçka ka nisur më ‘lehtë’ prej faktit që ishin persona mediatikë. Sot, faqja e tij në “Facebook” numëron rreth 250 mijë ndjekës dhe ka një staf që e menaxhon atë. Ndonëse “Instagrami” ka marrë më tepër vëmendje, Olti thotë se për të, ndjekës besnikë janë edhe ata të “Facebook”-ut.
Sipas tij, popullariteti në ditët e rrjetit dhe teknologjisë, duhet të kthehet në fitim. “Rrjetet sociale janë diçka komerciale dhe kjo të ndihmon ta kryesh këtë profesion. Unë kam bërë fushatën e një kompanie veshjesh italiane për herë të parë në 2010 dhe i jam vetofruar, diçka e çuditshme për kohën që buxheti i reklamave mendohej vetëm në televizion, radio, billboarde apo print.
Pas fushatës së parë, kur u pa ndikimi, stafi i marketingut të kompanive kryesisht të huaja, u sugjeroi të akordonin buxhete për reklama edhe te blogerët”, thotë Olti. Ai shton se, “produkti yt të ngjan ty, nuk mund të jetë ndryshe”, duke sinjalizuar kështu që influencuesit duhet të jenë të qartë në llojin e marketingut që bëjnë, që të jenë sa më realë dhe me përmbajtje të rëndësishme.
“Nuk jam nga ata që them një postim kushton kaq, një postim s’të çon asgjëkund, nuk të bën profesionist, duhet patjetër një strategji, duhet të njohësh produktin apo shërbimin dhe të dish se çfarë të komunikosh”, thotë Olti për strukturën e punës që ndjek.
Ai shton se tashmë, në portofolin e tij ka një sërë kompanish në sektorë të ndryshëm që i ka klientë dhe që ka kontrata të gjata me ta. Sa u përket çmimeve, ai shton se mesatarisht, një fushatë vjetore shkon 15 mijë euro.
Konkurrencë ka padyshim, sipas Oltit, megjithatë janë të paktë ata që punojnë formalisht në këtë treg, pjesa më e madhe janë të padeklaruar. Kjo në fakt, ndikon në një çrregullim të çmimeve në treg.
Olti shton në fund se ka ikur koha e reklamimeve në rrjete sociale nga thjesht një personazh i bukur që mëson fjalët përmendësh. Gjithnjë e më tepër, kërkohet përmbajtja mbi imazhin dhe efektshmëria dhe besueshmëria e personazhit që bën reklamën.
Aulona Musta, influencuesi si profesion
Rreth 4 vite më parë, nisi të operojë fuqishëm në Shqipëri. Jo Aulona Musta si personazh, ajo njihet më herët se kaq, në tregun e gazetarëve të shoubizit. Por, tendenca e ushtrimit të ‘profesionit të influencuesit’, që sipas saj, është një profesion i mirëfilltë.
“Fillimisht ishte rastësore. Për në grupin që jemi ende në tregun e influencuesve dhe që jemi të besueshëm tashmë, nisi rastësisht. Fillimisht miq që na kërkonin ‘ndere’ se si të bënim publik një produkt apo shërbim dhe me kalimin e viteve, nisën të strukturoheshin këto shërbime që ne bënim.
Më vonë u shndërrua në një profesion të vërtetë, duke parë ndikimin që kishim te ndjekësit. Duke parë trendin në botë, që marketingu po shndërrohej në digjital, e mora shumë seriozisht që të investoja kohën time dhe ta ktheja në një punë të vërtetë”, thotë Aulona.
Në këtë profesion, sipas saj, është shumë e rëndësishme që të jesh i/e besuar. Aulona Musta numëron 286 mijë ndjekës.
“Të jesh influencues është punë më vete, që ka kosto dhe që kërkon impenjim në kohë, duke qenë se s’ka orare të përcaktuara, s’ka ditë pushimi, Nuk bëhet fjalë vetëm për një postim, por duhet të ndjekësh të gjithë hallkat mbrapa, ndjekësit që të pyesin, përgjigjet, eksperienca etj.”, shton ajo. Kompanitë në Shqipëri gjithnjë e më tepër e kanë kuptuar këtë ndryshim, një pjesë e mirë e tyre e planifikojnë që në fillim të buxheteve të tyre reklamimet në rrjetet sociale.
Aulona thotë se, krahasuar me kudo në botë, ka diferencë në tarifa, kjo sepse është ende e re në Shqipëri. Megjithatë, sipas saj, hapa zhvillimi po shihen edhe këtu, po shndërrohet në një profesion që paguhet mirë.
“Si në çdo fushë ka konkurrencë. Unë, edhe kur flas me përfaqësues të ndryshëm të bizneseve që më drejtohen mua për një produkt apo shërbim të caktuar, u them që nuk mjafton të shohësh numrin e ndjekësve të një X personi, por se sa janë blerës potencialë për biznesin këta ndjekës.
Duhet një lloj analize më e detajuar për audiencën. Mund të kesh 50 mijë ndjekës dhe ke më tepër ndikim për një produkt apo shërbim se sa një profil me 500 mijë ndjekës, por që ndjekin personazhin për të tjera arsye, jo për besueshmëri si njeri apo model”, thotë Aulona.
Sa i përket çmimeve, ajo thotë se janë të standardizuara kryesisht.
“Unë ruaj një lloj balance. Nuk janë gjithnjë fikse, varet nga fushata, lloji i biznesit, etj. Unë punoj me 3-4 paketa, që janë në varësi të kompanisë, jetëgjatësisë etj.”, pohon ajo. Aulona shton në fund, se në “Instagram”-in e saj reklamon produkte për të cilat është vetë kliente apo përdoruese, që të jetë sa më shumë reale.
Fatma Haxhialiu, nga postimet në Instagram te biznesi
Fatma numëron 191 mijë ndjekës në “Instagram” dhe si në një ekosistem rrjeti që evoluon, numri rritet dita-ditës.
Njihet si gazetare shoubiz dhe më pas moderatore, por njëkohësisht Fatma Haxhialiu bën pjesë tashmë në grupin e influencuesve në Shqipëri, të cilët po marrin avantazh nga popullariteti i tyre në rrjetet sociale.
Sikurse pohon edhe ajo, që në vendin tonë tendenca lindi rastësisht, në formën e ndereve dhe më pas, duke parë ndikimin që mund të kishin në ndjekësit e tyre, bizneset u “ofruan” këtë formë marketingu, që rezultonte më efektiv se ai tradicionali.
Fatma ka prezantuar një linjë produktesh për flokët, biznes i cili është ende në hapa të parë, sepse sikurse thotë ajo, një ndër këshillat që i kërkohej më tepër në rrjete sociale kishte të bënte pikërisht me flokët dhe kujdesin për to. Si një model që është huazuar edhe nga influencues kudo në botë, popullariteti mund të përkthehet në biznes.
Sara Karaj, biznesi i nisur nga pasioni
Njihet si vajza e ëmbël e videove të para në youtube në gjuhën shqipe, që udhëzonin vajzat e reja se si të trukoheshin apo të përdornin make up. Më pas, viti 2020 e gjen Sarën me një biznes të sajin në këtë fushë, si dhe me mbi 77 mijë ndjekës në “Instagram”.
“Punën dhe pasionin tim fillimisht kam nisur t’i shpërndaj në “Youtube”. Si e para youtuber që krijonte video në gjuhën shqipe, mendoj se ky ka qenë avantazhi im.
“Instagrami” më ka dhënë një nxitje shumë të madhe, ndonëse “Youtube” më bëri më tepër të njohur. Në kohën e videove të mia të para, “YouTube” përdorej vetëm për të dëgjuar muzikë. Me anë të “Instagram”-it më pas, jam munduar t’i drejtoj njerëzit në “YouTube”, thotë Sara për fillimet e saj.
Për mënyrën se si funksionon përzgjedhja e reklamimeve të bizneseve, Sara thotë se platformat si të sajat, me video tutoriale për produkte kozmetike kryesisht, që përfaqësohen nga njerëz të thjeshtë, ndajnë eksperiencat e tyre me ndjekësit, në formë këshillash dhe sugjerimesh.
“Të njëjtën gjë bëj edhe unë. Kompanitë që më kontaktojnë janë të shumta. Deri tani mund të kem pranuar 30% të bashkëpunimeve që më janë ofruar, pasi kam vendosur të pranoj bashkëpunime me kompani që kanë produkte shumë të njohura në treg.
Kam pasur kërkesa nga ndjekësit në “YouTube” a “Instagram” për t’i provuar. Fillimisht i provoj produktet për 30 ditë (nëse nuk do të krijohet një video për impresionin e parë për ato produkte), më pas vendos nëse do ta ndaj ose jo me ndjekësit. Në disa raste kam refuzuar bashkëpunime pasi nuk më kanë pëlqyer produktet e tyre. Ka pasur video që kam provuar produkte dhe nuk më kanë pëlqyer dhe e kam ndarë këtë mendim me ndjekësit”, thotë Sara.
Lidhur me vështirësitë e punës, ajo thotë se ka pasur probleme me mendësinë e kompanive në Shqipëri.
“Mendoj se kompanitë këtu kanë nevojë për një skuadër marketingu shumë më të avancuar se ato që përdorin. Për më shumë kërkime e gjithashtu më shumë ide dhe dëshirë për të ngritur kompaninë lart. Shumë prej kompanive në Shqipëri kanë mbetur në epokën e gazetave dhe revistave, nga të cilat brezi ynë vështirë se ndikohet”, përfundon ajo.
Estela Ujka, nga blogere në influencuese
Estela prej vitesh është gjithmonë e gatshme të ndajë këshillat e fundit të modës me ndjekësit e saj, të cilët fillimisht e shikonin atë në blogun e saj të veshjeve kudo nëpër Tiranë. Më pas, jo pak habi bëri fakti se si një ekonomiste në një bankë të nivelit të dytë, pëlqente modën dhe shpenzonte për të.
Me kalimin e viteve, Estela thotë se u desh shumë punë, investim në veshje dhe aksesorë, që të arrinte të konsiderohej si blogere mode, dritare e cila i dha mundësinë që të kishte mbi 72 mijë ndjekës në “Instagram” dhe të konsiderojë punën e influencueses si një profesion të vërtetë.
“Pushteti i sociales apo i marketingut digjital është i pamohueshëm, ndaj sa më parë ta kuptojnë kompanitë, aq më mirë do të jetë për promovimin e tyre. Të famshmit shqiptarë mendoj se janë në një periudhë konfuze, sesi duhet ta përdorin hapësirën e tyre në mediat sociale. Pavarësisht se tregu tani po strukturohet akoma më shumë.
Përsa kohë në Shqipëri kompanitë shqiptare nuk matin trafikun që sjell një influencues apo të shitjeve të suksesshme, është e pamundur të matësh efektin real të një postimi, ndaj gjithçka që do të marrësh parasysh janë numrat e ndjekësve apo klikimet e një uebsajti, që në të shumtën e rasteve janë të manipuluara. Vetë personazhet që marrin përsipër promovimin në mediat sociale duhet të jenë pak të kontrolluar kur vendosin të identifikohen me një produkt, pasi në fund humbin besueshmërinë te ndjekësit e tyre, nëse postojnë pa asnjë kriter vetëm për reklamë”, thotë Estela, tashmë nënë e tre vajzave.
Sipas saj, vështirësitë e të qenit blogere në Shqipëri lidhen kryesisht me faktin që shumica e kompanive ende janë skeptike të ndikimit që ka marketingu digjital apo ai social. “Pavarësisht se vitet e fundit ka ndryshuar disi”, thekson ajo.
“Blogeret nuk janë menaxherë shitjeje, por influencues dhe shitja e tyre nuk është shitje direkte. Ndaj t’i matësh efektin është pak e vështirë për kompanitë. Unë mendoj që jemi në fillimet e kësaj industrie dhe jemi duke shkruar rrugën, ndaj bashkëpunimet po vijnë gjithnjë e në rritje. Gjithë statistikat thonë se përqindja më e madhe e kohës shpenzohet në telefon, ndaj është e pashmangshme që dhe promovimi të realizohet aty”, përfundon Estela.
Si është puna e influencuesit në Shqipëri?
Një kompani i drejtohet një infleuncuesi dhe duke prezantuar produktin apo shërbimin, njëkohësisht kërkon të dhëna sasiore të personit në fjalë, sa ndjekës ka, sa trafik gjeneron, çfarë fushatash ka bërë më parë dhe çfarë ndikimi ka pasur etj. Nga ana tjetër, influencuesi informohet për kompaninë dhe produktet/shërbimet që ka. Vendoset për çmimin. Në fillim, çmimet bazoheshin në çmimet e reklamave në print, një lloj konvertimi i numrit të kopjeve me numrin e leximeve. Me kalimin e viteve, tregu nisi të maturohej dhe çmimet të unifikoheshin. Megjithatë, ka diferenca në format e fushatave që bëhen dhe kërkesat e vetë kompanive.
Çmimet
Markat e ndryshme kudo në botë, kanë qenë të shpejta për të vërejtur fuqinë e ndikuesve të mediave sociale në tregjet e tyre të synuara. Një studim i kohëve të fundit nga WhoSay tregon se 70% e tregtarëve të agjencive dhe markave amerikane thanë që “pajtohen” që buxhetet e marketingut të influencuesve u rritën në vitin 2019. Shpenzimet për marketing për influencuesit janë rritur me shpejtësi gjatë viteve të fundit, dhe raportet tregojnë se pritet të jetë një treg 5-10 miliardë dollarë deri në vitin 2020. Në zemër të marketingut digjital padyshim ndodhen ndikuesit që kanë popullaritet të mirë.
Si përkthehet popullariteti në shifra për influencuesit shqiptarë?
Sipas agjencisë së reklamave “MCcann Tirana”, me kalimin e viteve, gjërat janë kthyer më serioze dhe shumë më tepër kompani janë ndërgjegjësuar për rolin e patjetërsueshëm të influencuesve dhe ndikimin e tyre të drejtpërdrejtë te konsumatorët.
Ndaj, çmimet kanë nisur të jenë po aq serioze sa përmasat që ky profesion po merr.
Burimet pranë agjencisë pohojnë se pagesat konsistojnë kryesisht 2-5 euro për 1000 ndjekës. Duke qenë se edhe influencuesit shqiptarë, gjithnjë e më tepër po akumulojnë një numër më të lartë ndjekësish besnikë, pagesat kanë arritur mbi 2000 euro për një postim në “Instagram”.
Fitimet
Nga mikro-influencues, njerëzit me më pak se 100 mijë ndjekës, e deri tek VIP-at: në mediat sociale, mund të bëhen shumë para.
Sipas të dhënave, kostoja mesatare për një foto të sponsorizuar në “Instagram” është rritur me 44% nga viti 2018 në vitin 2019. Për një postim të sponsorizuar në blog, çmimi është rritur nga 7.39 dollarë në 2006-n, në 1442 dollarë në 2019-n.
Sa kushton
Videot në “Youtube” kanë shënuar rritjen më të madhe, nga 420 dollarë në 2014-n, në 7600 dollarë në 2019. Një status i sponsorizuar në “Facebook”, kushton sot 395 dollarë, ndërsa një postim në “Twitter” – 422 dollarë.
Tregu, mes informalitetit
Influencuesit mendohen se janë liderë që gjenerojnë tematika dhe vendosin tendencat në mesin e një auditori ndjekësish, duke i pozicionuar ato në një drejtim të caktuar, për t’u partnerizuar me markat, mbi përmbajtjen e sponsorizuar. Ndikuesit po ‘konkurrojnë’ tregun e reklamave tradicionale dhe po përhapin mesazhin e një marke për audiencën e synuar në një mënyrë autentike, natyrore. Ndikuesit në përgjithësi fitojnë para nga miratimi i produkteve në faqen e tyre – të cilat duhet të etiketohen qartë si reklama për shkak të rregullave të Autoritetit të Standardeve të Reklamimit. Në Shqipëri, tregu nuk është ende i strukturuar dhe jo çdo influencues punon formalisht.
Llojet e influencuesve
- 1. VIP-at
- 2. Ekspertët e industrisë dhe liderët e një fushe
- 3. Blogerët
- 4. Mikro-influencuesit
Ifluencuesit dhe sponsorshipi
Kompania e marketingut ‘Izea’ zbuloi se çmimi mesatar i një fotografie të sponsorizuar në “Instagram” është ngritur nga 134 dollarë (104 paund) në vitin 2014, në 1.642 dollarë (1,276 paund) në vitin 2019. Mesa duket, markat janë të gatshme të paguajnë shuma të mëdha parash për të sponsorizuar postime, video, story dhe blogje.
Raporti përshkruan studimet për postimet e sponsorizuara në “Facebook”, “YouTube” dhe “Instagram”. Nga mikro-influencuesit, të cilët janë njerëzit me më pak se 100 000 ndjekës, e deri te të famshmit, u zbulua se ishte fituar një sasi e madhe parash.
Disa nga gjetjet e studimit tregojnë:
• Kostoja mesatare për një foto të sponsorizuar në “Instagram” është rritur me 44% nga viti 2018 në 2019
• Për një postim të sponsorizuar në blog, pagesa është rritur nga 7.39 dollarë në vitin 2006 në 1 442 dollarë në 2019
• Videot në “YouTube”, nga 420 dollarë në vitin 2014, në 6 700 dollarë në 2019
• Pagesa për përditësimin e statusit në “Facebook” është rritur nga 8 dollarë në 2014, në 395 dollarë në 2019
• Pagesa për një postim në “Twitter” është rritur nga 29 dollarë në 2014, në 422 dollarë në 2019
• Pagesa për postimet në blog janë rritur nga 407 dollarë, në 1 442 dollarë.
Si funksionon sot industria e influencuesve në Instagram
Në pak më pak se një dekadë që nga fillimi i “Instagram”-it, një numër në rritje i të famshmëve, ‘guruve’ të fitnesit, blogerëve të modës, stilistëve, aktorë dhe më shumë se kaq, janë drejtuar në rrjetin social foto-centrik për të ndërtuar një rrjedhë të re të ardhurash.
Pasi ‘krijohen’ në “Instagram”, shumë influencues degëzohen sipas përmbajtjes së markës, linjës së produkteve, podcast apo video, madje edhe tutoriale të tyre në internet. Në zemër të kësaj industrie është një premisë e thjeshtë: njerëzit mund ta kthejnë popullaritetin e tyre në fitim. Ndonjëherë, në shumë fitim. Ndikuesit më të paguar si Kylie Jenner mund të bëjnë më shumë se 1 milion dollarë për një postim në “Instagram”, sipas një raporti të fundit.
10 yjet që fitojnë më shumë para për një postim në Instagram
Kylie Jenner konfirmohet në krye të klasifikimit të yjeve më të paguar në “Instagram”. Në rrjetin social të fotografive, një postim i Jenner mund të vlejë më shumë se 1,2 milionë dollarë sipas Instagram Rich List 2019.
Ky klasifikim është bërë nga Hopper HQ, shoqëri britanike që shet shërbime për menaxhimin dhe marketingun në rrjetet sociale. Në podium është edhe këngëtarja Ariana Grande dhe ylli portugez i Juventus, Cristiano Ronaldo, postimet e të cilëve vlejnë përkatësisht 996 dhe 975 mijë dollarë.
Edhe pse Kylie Jenner është influencuese që më mirë se të tjerët fiton më shumë para për publikimet e saj, me një pasuri neto që vlerësohet 1 miliard dollarë, modelja dhe CEO e “Kyliecosmetics” u bë e famshme në reality show në “E!” (kanal amerikan me pagesë).
Por edhe pse Ariana Grande ka më shumë ndjekës (160 milionë) se Kylie Jenner (140 milionë), pasuria e saj vlerësohet “vetëm” 50 milionë dollarë, ndërsa ylli portugez i futbollit, Cristiano Ronaldo ka 176 milionë ndjekës në “Instagram”. Pasuria e tij, sipas Hopper HQ është më pak se gjysma e Kylie Jenner (450 milionë dollarë).
Top 10 e klasifikimit të veçantë mbyllet me Kim Kardashian, Selena Gomez, Dwayne “The Rock” Johnson, Beyoncé, Taylor Swift, Neymar dhe Justin Biber.
Në podiumin e sportistëve influencues Leo Messi (në vend të tretë) është pas Cristiano Ronaldos dhe Neymar Jr, të ndjekur nga David Beckham (në vend të katërt), i cili vari këpucët në gozhdë në vitin 2013. Postimet e Beckham vlejnë 357 milionë dollarë, më shumë se ylli i basketbollit të Lakers, LeBron James, dhe të ish-futbollistit tjetër Ronaldino. Në top 10, me 200 mijë dollarë për postim është edhe Zlatan Ibrahimoviç dhe Gareth Bale.