560 mijë individë priten të vaksinohen me mbërritjen e 1.2 milion dozave të siguruara përmes Covax, por ende nuk ka një emër konkret se cila vaksinë do të vijë në Shqipëri. Specialistja e ISHP-së Marjeta Dervishi deklaroi në studion e A2 CNN se Ministria e Shëndetësisë është në tentativa për të bashkëpunuar edhe me ofertues të tjerë të Bashkimit Evropian për vaksinën anticovid.“Është bërë pagesa 3.9 mln dollarë për 1.2 milionë doza dhe do të vaksinohen 560 mijë individë.
Ministria e Shëndetësisë është në tentativa edhe me ofertues të tjerë nga BE për të lidhur kontrata të reja për vaksinën anticovid. Nuk kam një emër konkret se cilën vaksinë do të marrim ne, por jemi në tentativa për të bashkëpunuar me ofertues të tjerë. Mendoj që bëhet fjalë për një proces dinamik që do informoheni në momentin e parë të mundshëm”.Sa i takon vaksinës së gripit stinor Dervishi tha se ka përfunduar vaksinimi i personelit shëndetësor, ndërkohë që për herë të parë po vaksinohen edhe mësuesit krahas grupeve të tjera.“Mjekët e kanë cilësuar rëndësinë e vaksinimit të gripit stinor. Dhe këtë vit janë rritur shumë dozat e vaksinës së gripit. Ka përfunduar faza e parë për personelin shëndetësor për të moshuarit, të sëmurët kronikë, fëmijët e moshës 2-5 vjeç dhe këtë vit janë futur në listën e personave edhe mësuesit dhe ky është një ndryshim nga vitet e mëparshme”.
E pyetur sesa ndikon mutacioni i koronavirusit në transmetueshmërinë apo fatalitetet, Dervishi thekson se ende nuk ka një informacion të saktë për këtë, që të jetë konfirmuar nga OBSH, por në bazë të një studimi të caktuar ka ndikim rritjen e transmetueshmërisë dhe fataliteteve.“Ne ndjekim studimet e ndryshme që jepen dhe në disa prej tyre referohet që mund të ketë pësuar mutacione që e kanë bërë më të transmetueshëm, kjo referuar një studimi të caktuar se mund të ketë edhe studime të tjera që mund ta hedhin poshtë këtë gjë. Ne presim informacione që janë të konfirmuara nga OBSH dhe agjenci të mëdha të shëndetit. Nëse ne u referohemi shifrave të fundit, kemi një numër të madh të personave të diagnostikuar dhe të shtruar, por deri tani nuk mund të themi që kemi informacion të saktë që ndikon në rritjen e fatalitetit”.