Ëmbëlsira është padyshim pjata më e preferuar e ditës për të vegjël e të rritur.
Askush nuk i reziston dot një akulloreje apo keku të ëmbël.
Por me angazhimet e ditës, gatimi i ëmbëlsirës ndonjëherë tingëllon si një angari më vete.
Dashamirësit e ëmbëlsirave nuk dekurajohen dhe janë gjithnjë në kërkim të recetave të thjeshta, interesante e të ëmbla.
Një prej tyre do ta gjeni në këtë artikull.
Bëhet fjalë për një ëmbëlsirë që gatuhet shumë thjeshtë dhe lehtë.
Gatimi i saj nuk kërkon shumë kohë ndërkohë që shurupi nuk ka nevojë të ziejë.
Po të masni kohën e përzierjes së përbërësve të kësaj ëmbëlsire do të kuptoni që ju nevojiten tre minuta për ta përgatitur dhe ta vendosur në furrë.
Përbërësit:
3 vezë
3 lugë gjelle me sheqer
3 lugë gjelle me qumësht
3 lugë gjelle me vaj vegjetal,
3 lugë gjelle me miell të ashpër (miell me hime)
3 lugë gjelle me miell shumë përdorimësh,
5 gramë vanilje pluhur
10 gramë pluhur pjekjeje
Për Shurupin
3 filxhanë çaji me qumësht në temperaturë ambienti
1 gotë (uji) e gjysëm me sheqer.
Përgatitja E Ëmbëlsirës
Ndizeni furrën në 180 °C . Rrihini vezët dhe sheqerin mirë deri sa të transformohen në një masë të njëtrajtshme dhe pa kokrriza.
Shtoni qumështin, vajin vegjetal, miellin e ashpër, miellin shumë përdorimësh dhe përziejini sërish.
Në fund shtoni vaniljen, pluhurin e pjekjes dhe përziejini për herë të fundit
Masën e ëmbëlsirës hidheni në një tepsi të yndyrosur lehtë.
Futeni tepsinë në furrë dhe piqeni deri sa sipërfaqja e saj të marrë një ngjyrë kafe të çelët.
Ndërkohë që ëmbëlsira piqet, ju mund të përgatisni shurupin.
Përzieni qumështin me sheqerin deri sa ai të tretet krejtësisht.
Hiqeni tepsinë e ëmbëlsirës së pjekur nga furra dhe lëreni të ftohet mër 10 minuta.
Më pas hidheni shurupin sipër saj dhe lëreni që ta përthithë atë plotësisht.
Kur ëmbëlsira të jetë ftohur, futeni në frigorifer.
Më pas ju mund ta ndani në feta dhe ta servirni sipas dëshirës.