Elbasani ka reaguar sot pas ndeshjes së humbur në Kupën e Shqipërisë përballë Partizanit, duke kritikuar gjykimin.
Verdheblutë ishin dukshëm të acaruar për rastin që vendosi ndeshjen, penalltinë që u akordua në favor të Skukës, teksa pretenduan se ishte bërë një padrejtësi ndaj tyre, si në raste të mëparshme gjatë këtij viti.
KOMUNIKATË ZYRTARE
Që nga muaji janar i këtij viti, ndaj ekipit të Elbasanit janë akorduar katër penallti kundër, të cilat në të katër rastet kanë qenë tepër të diskutueshme.
Rasti i paraqitur në këtë foto është momenti i fundit flagrant, i ndodhur në ndeshjen e sotme ndaj Partizanit, një tjetër penallti e diskutueshme, që ka ndikuar drejtpërdrejt në rrjedhën dhe mbarëvajtjen e takimit.
Si klub, ndihemi të cenuar nga vendime të përsëritura, shumë të diskutueshme dhe jo korrekte të arbitrave, të cilat kanë pasur ndikim të drejtpërdrejtë në rezultatet e ndeshjeve tona.
Ne kërkojmë nga Kolegjiumi i Arbitrave dhe nga vetë arbitrat që të jenë në lartësinë e detyrës, të veprojnë me profesionalizëm, paanshmëri dhe integritet të plotë, duke shmangur çdo vendim që mund të perceptohet si i favorshëm apo i njëanshëm.
Respekti për garën dhe drejtësinë sportive duhet të jetë mbi gjithçka.