Elbasani “asfalton” Dinamon që në pjesën e parë, titulli ndahet mes tyre dhe Egnatias (video)

Elbasani

Elbasani ka marrë një fitore spektakolare 3-0 ndaj Dinamos në sfidën e vlefshme për “Final 4”, duke mbajtur gjallë shpresat për titullin kampion deri në javën e fundit të sezonit. Verdheblutë zhvilluan një ndeshje perfekte në “Elbasan Arena”, duke dominuar ndaj bluve dhe duke treguar se janë ende në garë për trofeun.

Skuadra e drejtuar nga Ivan Gvozdenoviç hyri në fushë me shumë grintë dhe e zhbllokoi sfidën që në minutën e 25-të me Tsague. Vetëm dy minuta më vonë, sulmuesi realizoi sërish, duke dyfishuar shifrat dhe duke ndezur entuziazmin në stadium.

Dinamo provoi të reagonte, por Elbasani ishte më i organizuar dhe më kërkues në çdo aksion. Në minutën e 38-të ishte Diallo ai që vulosi praktikisht ndeshjen, duke shënuar golin e tretë dhe duke çuar shifrat në 3-0.

Në pjesën e dytë verdheblutë administruan me qetësi avantazhin, ndërsa Dinamo, që tashmë e ka siguruar pjesëmarrjen në Europë dhe është jashtë garës për titullin, nuk arriti të ndryshojë ritmin e takimit.

Me këtë fitore, Elbasani mban gjallë shpresat për t’u shpallur kampion. Gjithçka do të vendoset në javën e fundit, aty ku verdheblutë do të përballen me Vllazninë në një sfidë vendimtare. Në të njëjtën kohë, sytë do të jenë edhe te ndeshja e Egnatias ndaj Dinamos, me Elbasanin që shpreson për një hap fals të rrogozhinasve për të realizuar ëndrrën e madhe të titullit kampion.

Related posts

JUVENTUS-TORINO NË KAOS! Ndeshja drejt shtyrjes,Lokatelli thirret nga tifozët: Mos e luani ndeshjen (video)

Flamurtari “shkrin” skuadrën pas dështimit të sezonit, ja çfarë po ndodh me vlonjatët

E konsideruan të padobishëm te Tirana, ish-trajneri bardheblu fiton trofe në Holandë (FOTO)