Egnatia për momentin po mendon të blindojë katër futbollistë të cilët janë pa kontratë dhe kjo situatë duhet mbyllur sa më parë, duke qenë se do të marrin pjesë edhe në kupat e Europës.
Përveç Albano Aleksit që ka arritur marrëveshjen mbetet për t’u parë se çfarë do të bëhet me Arbin Zejnullain, Edison Ndrecën dhe Renato Malotën, protagonistë në të dy titujt kampionë të skuadrës së drejtuar nga Edlir Tetova. Mësohet se edhe për tre të tjerët janë duke u vijuar bisedimet dhe mbetet për t’u parë nëse do të arrihet në një akord apo jo.
Tek afrimet ka dalë në pah emri i parë që do të afrohet, siç është ai i Kastriot Selmanit, që do të vijë nga ekipi i Dritës në Kosovë. Mirëpo, ai nuk do të jetë i vetmi, sepse në klub duan që t’i vënë Edlir Tetovës një organikë sa më të plotë për të qenë fillimisht kompetitiv në Europë dhe më pas edhe për të përballuar kampionatin. Për këtë arsye, afrimet pritet të mbyllen sa më shpejt, që të vihen në dispozicion të trajnerit së bashku me pjesën tjetër të skuadrës.
KUNDËRSHTARËT NË CHAMPIONS
Në ndarjen e vazove, Egnatia renditet në vazon e jo favoritëve për shkak të koeficientit të ulët (2.500) dhe kundërshtarë të mundshëm ka emra të frikshëm si Ludogorets, Malmo, Zalgiris apo KuPS. Sakaq, në vazon e rivalëve të mundshëm të Egnatias është edhe Drita, që ka një koeficient 9.000, çka i jep një avantazh të konsiderueshëm mbi rivalët e mundshëm në raundin e parë të Champions League.
Në vazon e jo favoritëve, njëkohësisht si rivale e mundshme e Dritës është edhe Shkëndija e Tetovës, skuadra shqiptare që u shpall kampion në Maqedoninë e Veriut. Rivalët e mundshëm të kuqezinjve janë të njëjtët me Egnatian.
1 comment
Comments are closed
Add Comment