Edlir Tetova, trajneri i Egnatias foli pas humbjes 1-0 në transfertë me Skënderbeun.
“Ishte një ditë shumë e errët për ne sot, të paktën nga ajo që bëjmë ndeshje pas ndeshje. Ishte një nga ndeshjet më të dobëta që kemi bërë. Në një maratonë që është kampionati, ka kurba dhe ishte një ndeshje e dobët.
Ndryshuam diçka me zëvendësimet, por pa efektivitet në portë. Për pjesën e disa lojtarëve duhet të flas veçmas, por ka edhe justifikim se vijnë nga gjendje gripale. Mendoj që kemi pasur kërkesë për Ndrecën, por nuk kemi arritur akordin për ta gjetur. Nuk është se nuk bëmë asnjë tentativë.
Mendoj që të gjithë janë të rëndësishëm dhe kanë role të rëndësishme, kemi pasur vazhdimisht mungesa por nuk është ajo sot se sa ndeshja e dobët”, deklaroi Edlir Tetova për “RTSH Sport”.
HUMBJA E PARË PËR VITIN 2025
Skënderbeu ka arritur një fitore jetike në Korçë, duke mposhtur kryesuesit e kampionatit. Egnatia është dorëzuar me rezultatin minimal 1-0. Skuadra korçare, që ndodhej në një situatë të vështirë, ka bërë një paraqitje dominuese përballë kampionëve në fuqi. Egnatia nuk e gjeti dot ritmin e zakonshëm dhe nuk krijoi raste të rrezikshme në portën e Alisë, duke pësuar humbjen e parë të vitit 2025.
Ndeshja u vendos nga një penallti e ekzekutuar me saktësi nga Nikaj në minutën e 60-të, pas një ndërhyrjeje të VAR-it që konfirmoi prekje me dorë brenda zonës. Ishte hera e dytë që teknologjia ndërhyri në favor të Skënderbeut, pasi më herët një tjetër penallti u akordua pas shqyrtimit të pamjeve filmike. Egnatia në rastin e parë shpëtoi nga pritja e portierit Dajsinani, që në 11 metërshin e dytë nuk mundi të bënte asgjë.