Humbja ndaj Elbasanit është harruar dhe te Egnatia i gjithë fokusi është te Bylis që ditën e shtunë do të luajë për javën e 12-të të Kategorisë Superiore. Në prag të kësaj përballjeje, trajneri i ekipit rrogozhinas, Edlir Tetova foli për pauzën e kampionatit dhe se në çfarë aspekti ka punuar këto javë.
“Kjo javë ka sjellë përfitimet e veta, sepse çdo pushim shërben për mirë. Mendoj që na ka ndikuar mirë te lojtarët e mirë që janë në skuadër për t’u njohur me grupin. Kemi një qasje ndryshe, kemi punuar përpara portës. Çdo ushtrim pothuajse e kemi lidhur me portën. Shqetësim është kur ekipi nuk shkon përpara portës dhe ky është një ngërç që duhet ta zgjidhim.
Mendoj që manovra dhe shpejtësia veprimit ka lojtarë që janë ende mbrapa tek kjo pjesë, sigurisht kemi punuar, sigurisht që po shohim gjëra të mira ditë pas dite dhe shpresojmë të arrijmë më të mirën. Kemi një grup lojtarësh që mund ta përballojnë shumë mirë po themi rotacionin gjatë ndeshjeve të ngjeshura. Nuk besoj që ka presion, fokusi është te Egnatia te loja jonë, mendoj që ne duhet të kryejmë detyrat të shkojmë drejt portës së kundërshtarit. Jemi në një rrugë të mirë dhe sigurisht që objektivi janë tre pikët.” Përfundoi Edlir Tetova