Për Partizanin duhet një merkato cilësore, por shkarkimi i drejtorit sportiv Elton Marini, mund të pasojë në largimin e trajnerit Giovanni Colella. Drejtuesit e klubit nuk janë të bindur për t’i besuar edhe një tjetër sezon italianit dhe pritet të negociojnë me të prishjen e kontratës, e cila skadon pas një viti, për shkak se pas fitimit të titullit, u aktivizua klauzola e rinovimit.Nga ana tjetër, klubi ka nisur puna për gjetjen e trajnerit të ri të të kuqve, ku Kroacia është tregu i zgjedhur.
Tomislav Stipić– 42- vjeçari është emri kryesor në listën e Partizanit për trajner. Mosha mund të tregojë për një trajner pa “CV” të pasur dhe me pak eksperiencë, por në të vërtetë kemi të bëjmë me një alternativë mjaft prestigjioze. Ajo që premton më shumë është fakti që menaxher i Stipić është Adrian Aliaj, një njeri shumë i afërt i klubit të kuq. Stipiç u sugjerua edhe vitin e shkuar te Partizani, por në fund ish drejtori Marini nguli këmbë për Colellen dhe gjithçka u mbyll me italianin.
Mario Tokić– Një tjetër alternativë në listë, megjithëse më pak i mundshëm është ish trajneri i Lokomotivës së Zagrebit. Tokic, 47 vjeç, është një trajner pa eksperiencë të gjatë si teknik i parë. Në këtë rol ai ka drejtuar vetëm Lokomotivën në periudhën 2016- 2017, pa suksesin e pritshëm. Aktualisht Tokic është zëvendëstrajner i skuadrës kombëtare të Omanit, krah Branko Ivankoviç. Tokic do të shndërrohej në një opsion për Partizanin vetëm në rast se thyhen tratativat me Stipic.