Dosja “Çinari” gati, Partizani përgatitet për gjyq. Rrezikon dhe FSHF-ja

Sezoni 2019-2020 re zulton më i dështuari në epokën “Demi” për Partizanin. Para disa ditësh klubi mori një goditje të madhe nga FIFA, që nëse mbetet në fuqi, mund të lërë pasoja. Gjithçka vjen si rezultat i federimit të Eraldo Çinarit në verën e 2018-ës, transferim i cili është denoncuar në FIFA nga Istra 1961. Kroatët e paditën Partizanin për rrëmbim lojtari. Ndaj, të kuqtë u dënuan me pezullimin e dy sesioneve të merkatos, ku këtë verë dhe në janar nuk u lejohet të afrojnë lojtarë.

Çinari është pezulluar me katër muaj mosaktivizim dhe së bashku me klubin duhet të dëmshpërblejnë Istrën me 80 mijë euro. Partizani ndihet pa faj në këtë mesele, pasi për kartonin e lojtarit ka pagur afro 50 mijë euro te Vllaznia, ku ka pasur edhe konfirmimin e Çinarit dhe klubit shkodran se nuk ka asnjë pengesë për afrimin e tij.

Gjithashtu, edhe FSHF nuk paraqiti barriera për Partizanin duke i dhënë OK-in për federim. Ndaj, duke pasur bindje se janë të pastër në këtë çështje, Partizani do ta apelojë dënimin në KAS-in e Lozanës. Të kuqtë kanë përpiluar një dosje voluminoze me fakte e prova, e cila do të dorëzohet brenda kësaj jave.

“Panorama Sport” ka mësuar se Partizani do të kërkojë gjyq me procedurë të përshpejtuar, ku si fillim do të kërkohet pezullimi i efekteve vepruese të dënimit të FIFA-s. Gazeta ka mësuar se përveç pafajësisë, “demat” do të bëjnë padi edhe për subjektet që e kanë futur në këtë “valle”.

Përveç kroatëve të Istrës, në listën e të paditurve mund të përfshihen edhe sulmuesi i ekipit të tyre, Vllaznia dhe federata, të cilët kanë dalë garantë për federimin e Çinarit në 2018-ën.

Partizani do të mbrohet në proces nga zyra juridike e klubit, ndërsa Eraldo Çinari do të përfaqësohet në KAS nga një avokat francez. Në klubin e kuq janë optimistë fillimisht sa i përket heqjes së embargos së përforcimeve në merkato dhe shpresohet që brenda gushtit ta kenë rifituar të drejtën për të bërë blerje të reja. Ndërsa tri palët e tjera vendëse, lojtari, klubi shkodran dhe vetë federata rrezikojnë të përballen me pasoja për vetë firmat që janë hedhur para tek Alavesh, Istra dhe gjatë federimit të lojtarit me të kuqtë.

Në gusht të 2018-ës klubi shkodran njoftoi se ka falsifikim firmash dhe derdhje pagesash në llogari fantazmë dhe çështjen e kaloi për hetim, proces i cili, me sa duket, ngeli rrugëve, por që në fund e pësoi Partizani.

Related posts

Davide Ziu, talenti shqiptar firmos kontratën si profesionist me Renaten: Ëndrra ime të përfaqësoj Kombëtaren (video)

Flamurtari kërkon ngjitjen në elitë, transferon ish-futbollistin e Dinamos (ZYRTARIZIMI)

Krijoi faturë fiktive për llogari të Ilir Beqajt, SPAK vendos masë sigurie për ish-drejtorin e Partizanit