Dhjetëra protestues raportohet se janë vrarë në Mianmar, në ditën kur ushtria shënoi Ditën e Forcave të Armatosura.
Sipas mediave lokale, deri në 90 persona u vranë të shtunën, megjithatë ky numër nuk ka arritur që të konfirmohet nga mediat ndërkombëtare.
Që prej puçit ushtarak të 1 shkurtit, qytetarët në Mianmar po protestojnë duke kërkuar rikthimin e demokracisë.
Më herët gjatë ditës, gjenerali Min Aung Hlaing, gjatë adresimit për Ditën e Forcave të Armatosura tha se do të mbahen zgjedhje të reja, por nuk dha ndonjë datë për mbajtjen e tyre.
Sipas shifrave të fundit, që prej fillimit të protestave, në Mianmar – që njihet ndryshe edhe si Birmani – janë vrarë mbi 400 protestues.
Aktivistët thirrën për mbajtjen e protestave në qytetet kryesore të shtunën, pavarësisht se ushtria ka kërcënuar se do të përdorë forcë vdekjeprurëse ndaj tyre.
Prezenca e shtuar e forcave policore është parë kryesisht në Yangon, ku ka pasur të shtëna edhe në qendrën kulturore të Shteteve të Bashkuara. Ambasada amerikane ka konfirmuar se ka pasur të shtëna, por ka shtuar se nuk ka pasur të lënduar. SHBA-ja ka dënuar ushtrinë e Mianmarit për “vrasjen e civilëve të paarmatosur”.
Pas puçit ushtarak, ku u arrestuan liderët e qeverisë civile, përfshirë edhe lideren de fakto të Mianmarit, Aung San Suu Kyi, Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe Britania kanë vendosur sanksione ndaj liderëve të ushtrisë së Mianmarit.