Dinamo përgatitet në heshtje, blutë kërkojnë Kupën që mungon nga viti 2003

Dinamo

Katër ditë për t’u rikthyer në kohët e arta, në të cilat mund të fitohet gjithçka ose asgjë. Dinamo një nga dy skuadrat e vetme, bashkë me Egnatian, që mund të fitojë dy trofe këtë sezon, duke qenë në katërshen e titullit dhe në finalen e Kupës së Shqipërisë, e cila do të zhvillohet të enjten në Arenën Kombëtare.

Por ndërsa rrogozhinasit janë titullmbajtës në të dy kompeticionet, blutë, skuadra me më tepër trofe në Shqipëri pas Tiranës, nuk e njohin shijen e suksesit prej 15 vjetësh në kampionat dhe prej 22 vjetësh në Kupën e Shqipërisë, të cilën e kanë fituar për herë të fundit në 2003, kur mundnin në finale Tiranën.

Ndërkohë, vetëm tri ditë pas finales së Kupës, Dinamo do të ketë një tjetër ndeshje të rëndësishme, kundër Vllaznisë, për gjysmëfinalen e kampionatit. Dy ndeshje me shkallë vështirësie të lartë, e dyta edhe për shkak se Vllaznisë i mjafton barazimi për të kaluar në finalen e kampionatit, falë renditjes më të mirë në sezonin e rregullt.

Me një skuadër të fortë, por të pamësuar të luftojë për objektivat e mëdhenjë në këtë fazë të sezonit, blutë po stërviten në heshtje, pa u shpërqendruar nga asgjë anësore. Trajneri Ilir Daja nuk mori pjesë në shortin e gjysmëfinaleve të kampionatit pikërisht për këtë arsye. Nën ujë e pa u ndjerë, nëndetësja po stërvitet për të bërë goditjen e madhe larg vëmendjes së të gjithëve.

Objektivi i Dinamo City-t është të rikthejë Kupën në shtëpi, ndërsa i Egnatias, të vazhdojë të mbrojë titullin dhe të qëndrojë kampione në fuqi.

LEXO ME SHUME:Luhet për Superioren, FSHF konfirmon stadiumin e ndeshjes Tirana-Pogradeci

 

 

Related posts

Përballja Partizani-Egnatia në Final-Four, statistikat dhe duelet direkte flasin për të kuqtë

Jo vetëm Trabzonspor, ekipi i Bundesligës interesohet për Rey Manaj

Kukësi siguroi mbijetesën mes vështirësive, FIFA i jep goditjen e fortë klubit verilindor