Dejvi Bregu “SHOW”! Dinamo “zbor” Bylisit dhe blindon vendin e dytë (video)

Dinamo

Dinamo ka marrë një fitore të rëndësishme ndaj Bylis, duke triumfuar me rezultatin 3-1 në një ndeshje ku dominoi lojën dhe shfrytëzoi në maksimum gabimet e mbrojtjes kundërshtare. Falë kësaj fitoreje në javën e 29-të të Superiores, skuadra e Ilir Dajës rikthehet në vendin e dytë në renditje. Itodo dhe dygolëshi i Bregut bënë të pavlefshëm realizimin e Ruçit. Vlonjati i bluve madje mund të festonte trisin, por VAR i mohoi kënaqësinë për të marrë topin me vete.

Pjesa e parë: Dinamo shfrytëzon gabimet e mbrojtjes së Bylis

Ndeshja nisi në mënyrën më të mirë për Dinamon, e cila shënoi që në minutën e 7′. Një pasim i gabuar nga Batista u ndal nga Zabërgja, i cili asistoi për Mandelën. Mesfushori shmangu portierin dhe shënoi për avantazhin e bluve. Vetëm pesë minuta më vonë, Dinamo humbi një mundësi të artë për të dyfishuar shifrat. Bregu u shfaq i vetëm para portës, por vendosi të pasonte për Zabërgjën, i cili gjuajti jashtë me portën e boshatisur.

Në minutën e 28′, një tjetër gabim në mbrojtjen e Bylis i dha kryeqytetasve golin e dytë. Zabërgja përfitoi nga një pasim i gabuar dhe asistoi saktë për Bregun, i cili e pati të lehtë të tundte rrjetën. Megjithatë, Bylisi arriti të rikthehej në lojë në minutën e 34′. Pas një goditjeje nga këndi, Ruçi u gjend në shtyllën e dytë dhe shënoi me një goditje të saktë me kokë, duke rihapur ndeshjen. Para përfundimit të pjesës së parë, Bylis pati edhe një mundësi tjetër me Mustafën, por goditja e tij diagonale nuk gjeti kuadratin.

Pjesa e dytë: Goli spektakolar i Bregut vulos fitoren e Dinamos

Në minutat e para të pjesës së dytë, Bylis rrezikoi me një tjetër goditje këndi, ku Aliji për pak sa nuk shënoi në portën e tij. Dinamo mendoi se kishte shënuar golin e tretë në minutën e 54′, kur pas një pasimi të Maliqit, Bregu e dërgoi topin në rrjetë. Megjithatë, pas konsultimit me VAR-in, arbitri anuloi golin për një pozicion jashtë loje të Vilës.

Por vetëm dhjetë minuta më vonë, Bregu realizoi një nga golat më të bukur të ndeshjes. Pas një harkimi nga e djathta, sulmuesi i Dinamos ndali topin dhe me një kthesë spektakolare mposhti portierin Batista, duke vulosur fitoren 3-1 për kryeqytetasit. Në minutën e fundit të kohës shtesë, Bylisi pati një mundësi për të shënuar, por portieri Teqja, pavarësisht një daljeje të gabuar, arriti të ndalojë një gjuajtje nga afër të Çelajt.

LEXO ME SHUME:Asnjë fitore këtë sezon me Bylisin, Ilir Daja mesazh lojtarëve të tij: Duhen 90 minuta të jemi të përqendruar

Related posts

Nuk ka fitues në Durrës! Teuta proteston për penallti, Elbasani i largohet Final-Four (video)

“Luajtëm shumë ngadalë”/ Thomas Brdaric kënaqet me barazimin ndaj Tiranës: Ndeshje e barabartë

“Gabuam në pasimet e thjeshta”, Bledi Shkëmbi kapet me lojtarët e tij pas ndeshjes me Vllazninë: Po vuajmë nga ana fizike dhe në qarkullimin e topit