Në një përballje plot emocione, tension dhe raste të humbura, Dinamo dhe Vllaznia u ndalën në një barazim pa gola, në kuadër të javës së 25-të të Superiores. Edhe pse rrjeta nuk u tund në asnjë moment, takimi dhuroi spektakël në një tjetër formë, me tre kartonë të kuq, duele të forta dhe episode të diskutueshme.
Kartoni i kuq prishi planet e Dajës
Që në minutat e para, të dyja ekipet treguan qartë synimet për të dalë me tri pikët nga kjo sfidë. Vllaznia u përpoq të vendoste nën presion mbrojtjen dinamovite, ndërsa Dinamo u tregua e kujdesshme, duke kërkuar kundërsulmet.
Polemikat nisën herët, me gjyqtarin Bajramaj që u vu shpesh në qendër të vëmendjes për vendimet e tij. Episodi më i rëndësishëm i pjesës së parë ishte largimi me karton të kuq i Karamba, duke e lënë Dinamon me një lojtar më pak. Pavarësisht inferioritetit numerik, kryeqytetasit nuk e ulën ritmin, ndërsa Vllaznia tentoi të shfrytëzonte epërsinë.
Vllaznia mbetet me 9 lojtarë
Fraksioni i dytë nisi me një tjetër episod të fortë, teksa brenda pak minutash Vllaznia mbeti me dy lojtarë më pak. Sala dhe Jago panë kartonin e kuq, duke e lënë skuadrën shkodrane me 9 futbollistë në fushë. Kjo i dha mundësinë Dinamos të shtynte përpara, ndërsa Vllaznia u detyrua të mbrohej me forcat që i kishin mbetur. Rastet për gol nuk munguan në të dyja kampet. Gruda dhe Mensah kishin mundësi të mira për Vllazninë, por pa mundur të shënojnë, ndërsa Qefalija tronditi shtyllën për Dinamon, duke qenë shumë pranë golit të fitores.
Në përfundim të takimit, Vllaznia mbetet në vendin e dytë në klasifikim, por tashmë me 4 pikë më pak se kryesuesit e Egnatias. Dinamo, nga ana tjetër, kalon Partizanin dhe ngjitet në vendin e tretë, duke vazhduar garën për një vend në kupat europiane.
Një barazim pa gola që la një shije të hidhur për të dyja skuadrat, të cilat ndonëse patën raste për të zhbllokuar sfidën, u penalizuan nga mungesa e saktësisë dhe episodet e shumta të ndeshjes.
3 comments
Comments are closed
Add Comment