Një derbi ka gjithnjë interesimin e tifozëve. Tirana, por edhe Partizani kanë nisur tashmë shitjen e biletave: bardheblutë në biletarinë e tyre kanë nxjerrë biletat në dispozicion dhe Fanatics kanë shpejtuar të përgjigjen për të dhënë mbështetjen e tyre për të besuarit e Orges Shehit, që shkojnë në këtë përballje me Partizanin, me dy pikë avantazh si kryesues e finalist të Kupës së Shqipërisë. Vendet për të qenë në “Air Albania” në përplasjen e fundit të sezonit mes Tiranës e Partizanit janë vetëm 22.500.
Tribuna djathtas nga kodrat e liqenit, në sektorët W105, 106, 107 dhe ato pas porte S dhe V do të ngjyrosen me të kuq, ndërsa pjesa tjetër e stadiumit, që shkon drejt shitjes së të gjitha biletave, do të jetë bardheblu. Sipas asaj që filtron nga të dy kampet, me këtë ritëm do të jetë një stadium i tejmbushur dhe ndoshta tradita e zakonshme e tifozerive për të pritur ditën e fundit mund të rezultojnë me faktin se nuk do të ketë më asnjë biletë.
Kështu, që ata që nuk duan ta shohin betejën titull në ekran, bëjnë mirë të nxitojnë të jenë pjesë e një derbi që padiskutim do të mbetet në histori…