Dejvi Bregu shënon dhe shanset që Dinamo të fitojë janë shumë të mëdha, pasi kështu ka ndodhur këtë sezon. Ndaj Bylisit, ai realizoi dopietën e tretë për këtë sezon, kësaj here në sytë e Sylvinhos në tribunë. Pas ndeshjes, 29-vjeçari pohon se Dinamo reagoi menjëherë pas asaj humbjeje në Rrogozhinë, ndërsa ka besim se me ecurinë pozitive do vijojnë edhe ndaj Elbasanit. Për vlonjatin është e vështirë që të përzgjedhë dopietën më të bukur të këtij sezoni. Në fund, ai ka diçka edhe për Silvinjon, që e ndoqi sfidën nga tribuna.
“Realisht një reagim i mirë pas asaj pjese të parë, pa i hequr meritat Egnatias në fitore, sepse ata e merituan, edhe pse ne nuk ishim në lartësinë e duhur. Duhet të nxjerrim mësime nga ajo ndeshje dhe fatmirësisht u kthyem menjëherë te fitorja. Ishte një ndeshje shumë e vlerësuar nga ana jonë dhe normalisht jemi të lumtur me këtë fitore.
Dopieta e tretë për këtë vit? Të them të drejtën, unë nuk mund t’i ndaj dot, e kam pak të vështirë. Por, mendoj se gjithnjë ajo që shënohet e fundit është më e rëndësishmja, edhe pse këtë gjë e vlerësojnë më mirë të tjerët. E kam thënë edhe më herët që për mua të rëndësishëm janë golat që japin pikë dhe unë atë kam synuar gjithnjë. Pikërisht këta gola vlerësohen më shumë. Sylvinho në tribunë? Nuk di se çfarë të them. Shpresoj që t’i ketë pëlqyer ndeshja.” Përfundoi Dejvi Bregu.