“CR… 50”: S’jetoj për statistika, rëndësi ka vetëm Juvja

Tridhjetë gola në kampionat dhe 50 në aventurën italiane. Kristiano Ronaldo regjistron një tjetër rekord duke thelluar rrënjët e tij në “Olimpin” e më të mëdhenjve të futbollit. Portugezi është i pari lojtar që arrin të tillë shifër që kur fitorja në Serinë A vlen tri pikë, ose më saktë që nga sezoni 1994- ’95.

Bën modestin portugezi, që pas ndeshjes deklaroi: “Ishte një ndeshje shumë e vështirë ndaj një skuadre që ka bërë një kampionat të shkëlqyer. Ishte një shans i mirë dhe ditëm të përfitojmë, ndaj edhe jam shumë i kënaqur për mënyrën se si luajtëm e disi më tepër për rezultatin e arritur”.

HISTORIK – Rekordet janë buka e tij e përditshme dhe Ronaldo i ka përdorur gjithmonë për të rritur nivelin e tij. Kampion që nuk ndryshket kurrë e përveç trofeve vazhdon të vendosë primatë të cilat kushdo që të vijë pas tij, do ta ketë të vështirë t’i tejkalojë. “Rekordet kanë shumë rëndësi dhe unë jam gjithnjë gati për t’i ndjekur. Nuk janë fiksimi im dhe ato kanë ardhur natyrshëm gjatë karrierës sime. Nuk kam menduar kurrë për golat apo rekord, sepse synimi im parësor është që të ndihmoj skuadrën që të arrijë fitore dhe trofe”, deklaroi Ronaldo pas ndeshjes së djeshme për mikrofonat e “SKY”.

CHAMPIONS DHE DEL PIERO – Në deklaratën e portugezit nuk mund të mungonte edhe një koment në lidhje me Ligën e Kampioneve, edhe pse për titullin në Serinë A i mungon matematika. Megjithatë, nga lartësia e përvojës së tij, CR7 sugjeron: “Në fillim duhet të mendojmë se si të përmirësohemi. Kampionati nuk është mbyllur dhe duhet të fitojmë dy ndeshjet e mbetura. Sot ishte një sfidë e rëndësishme dhe arritëm të fitonim ndaj një skuadre që luan mirë. Të njëjtën gjë duhet të bëjmë në sfidat në vijim e më pas edhe në Champions”.

Një legjendë e gjallë e Juventusit përballë një tjetre që ka shkruar historinë me bardhezinjtë. Portugezi merr edhe bekimin e Alesandro Del Pieros që e “sheh” si të përkushtuar më shumë te sukseset e “Zonjës” sesa te rekordet personale. Duke analizuar fitoren e djeshme dhe sidomos paraqitjen e numrit 7, “Pinturikio” deklaroi: “Ronaldo është fokusuar shumë te Juventusi dhe te roli që ka në skuadër. Bën gola, është gjithnjë gati për të ndihmuar dhe përbën një prezencë konstante dhe të sigurt për shokët. Nuk mendon më vetëm për vete, por për të qenë në formën më të mirë në ndeshjet e Champions-it, duhen disa përmirësime”.

Related posts

Feste te Vora, lojtari zbulon gjininë e bebit në mënyrën më të bukur (video)

TË GJITHË NË KËMBË! Ernest Muçi realizon golin e vitit me Besiktas, sulmuesi lë shenjën në Kupën e Turqisë (video)

Revolucion te Skënderbeu, klubi korçar prezanton 4 lojtarë para ndeshjes me Dinamon