Partizani është skuadra e vetme nga “Abissnet Superiore” që vazhdon rrugëtimin në Conference League. Demat do të luajnë në mbrëmje ndaj Valmieras sfidën e khtimit në Conference League. Ndeshja do të zhvillohet në “Elbasan Arena” duke nisur që nga ora 20:00, teksa dueli i parë mes tyre ka përfunduar në favor të demave me shifrat 2-1.
Por në mbrëmje të kuqtë do të synojnë kualifikimin në “Play-Off”. Në rast të kalimit në këtë fazë atëherë demat do të mund të arkëtojnë plot 1.56 milionë euro. Shumë kjo që shpërndahet nga UEFA për të gjithë rrugëtimin në këtë fazë.
Më konkretisht 260 mijë euro si skuadër kampione, 100 mijë euro nga turi i parë në Champions, 250 mijë euro nga turi i dytë i Conference League, 200 mijë euro nga turi i tretë dhe 750 mijë euro nga pjesmarrja në “Play-Off”. Gjithmonë nëse demat arrijnë fazën “Play-Off” në total do të përfitonin 1 milionë e 560 mijë euro.
Të besuarit e Zoran Zekic synojnë fazën e grupeve për të shkruar historinë, por edhe për të fituar të tjeë miliona. Nëse kryeqytetasit do të mund të sigurojnë grupet e Conference League atëherë përfitimet do të kapnin shifrën e 3.5 milionë eurove.