“Colella të na studiojë sa të dojë”/ Orges Shehi flet para derbit me Partizanin: Abazaj do të sakrifikohet, të vlerësojmë episodet

Tirana do të luajë me Partizanin në derbin e kryeqytetit ditën e nesërme në orën 18:30 në stadiumin “Air Albania”. Në konferencën përpara ndeshjes, trajneri i bardhebluve, Orges Shehi, tregoi gjendje e ekipit dhe se ka ende shumë punë për të arritur objektivat.

 “Dihet që mungesat janë prezentë dhe ata lojtarë që janë të dëmtuar. Pjesa tjetër është e gatshme. Dhe Kristali (Abazaj) nesër është në gjendje të jetë i gatshëm për skuadrën. Mungesat janë të rëndësishme, janë lojtarë që njëri është golashënuesi i skuadrës, të tjerët janë pjesë shumë e rëndësishme si Hila, si Behiratche. Por këto janë gjëra që ndodhin dhe ne kurrësesi nuk mund të qajmë mungesat. Do të hedhim në fushë lojtarët që janë të gatshëm për t’i zëvendësuar dhe që të luajnë atë shansin e tyre.”

Collela ka qenë thuajse në të gjitha ndeshjet duke ju studiuar…

Është një veprim i trajnerit të Partizanit. Sigurisht ndoshta ka dhe kohën e mjaftueshme duke ditur që edhe shumica kanë luajtur para nesh, por është një zgjedhje e tij dhe është pyetje që mund t’ia bëni atij. Ne nuk është se kemi gjë për të fshehur, sepse duke qenë që TV i japin ndeshjet tona, si live si ritransmetim, duke pasur programe që mund të marrësh informacione për kundërshtarin. Kështu që ne kemi pasur vetë si staf që mos të shohim ndeshjet e kundërshtarit, por duke pasur parasysh këto që thash, e kemi më të përqendruar informacionin për ekipin kundërshtar.

A ka presion te Tirana para derbit? Do të firmosnit për një barazim?

Unë do të firmosja për lojtarët e mi që të japin më të mirën. Që të futen në fushë për atë që po bëjnë. Dhe pavarësisht mungesa do të kërkoja një skuadër që ka kurajë, ka karakter, që futet në fushë për të dhënë më të mirën e vetë edhe për të shijuar momentin. Kjo për t’i ulur presionin, pasi presioni është i pranishëm në çdo derbi, por është mirë kush e menaxhon. Nëse ke anën emocionale në doza të larta, atëherë dëmtohesh dhe nuk e jep më të mirën tënde. Këtë do t’i kërkoja lojtarëve nesër edhe në dhomat e zhveshjes. Që sa më pak presion dhe sa më shumë krenarë dhe kurajozë për atë që po bëjnë.

Si e keni përgatitur këtë ndeshje, si një derbi apo si një finale për titull?

Derbi. Unë do thoja derbi. Kush e ka provuar derbin këtu nuk hyn asgjë, as renditja, as objektivat, por përqendrimi dhe rëndësia është vetëm te kjo ndeshje, sepse e dimë që derbi ka shumë pak lojë efektive, karakterizohet nga grinta, nga lufta sportive, vendoset nga episodet. Shpresoj që nesër të jemi të vëmendshëm dhe të kujdesshëm. Të vlerësojmë episodet, sepse në derbi episodet vendosin shumë për ndeshjen.

Riktheheni në “Air Albania” pas shumë kohësh. Mendoni se do t’ju sjellë fat?

Po t’i hapim statistikat fati ynë ka qenë “Elbasan Arena”. Mendoj se derbi është një ndeshje për t’u luajtur në një impiant si “Air Albania”. Shpresoj që nesër tifozët të jenë të shumtë. Mendoj se për derbin është i përshtatshëm stadiumi “Air Albania”.

Related posts

E FUNDIT/ Klubi i Kategorisë së Parë bëhet me president të ri, Bashkia shet aksionet

U largua nga Vora, zbulohet klubi i ri i Jasmin Raboshtës

Ballkani bën “bingo”, transferon lojtarin i dalë nga akademia e Vllaznisë (POSTIMI)