Deputeti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, ka hedhur akuza të forta në lidhje me koncesionin e inceneratorëve, duke u ndalur veçanërisht tek ai i Tiranës.
Në një intervistë për Adi Krastën, deputeti Këlliçi ka drejtuar mesazhe të forta, “për inceneratoristët, atyre në arrati dhe dy ‘shefave’ të tyre në qendër të Tiranës”.
I pyetur nga Adi Krasta nëse inceneratorët “kafshojnë” kryetarin e bashkisë dhe kryeministrin, Këlliçi tha se nëse i shkohet vetëm deri në gjysmë kësaj afere, do të binte në rrjetë minimalisht Erion Veliaj.
Sipas tij, kryeministri është arkitekti i gjithçkaje, por shtoi se Erion Veliaj është zbatuesi.
“Nëse drejtësia e re me 140 vota që u votua në 2016 ka vullnet të plotë për t’i shkuar deri në gjysmë, jo deri në fund, deri në gjysmë të kësaj afere dhe dosja e Tiranës, sepse kemi parë që ka pasur arrestime për Elbasanin dhe Fierin, por për Tiranën nuk ka ende të pandehur, ende nuk kemi arrestime.
Ndërkohë, është në shifra katër-pesëfish më e lartë vjedhja sesa ka ndodhur në dy rastet e tjera.
Por nëse i shkohet deri në gjysmë, minimalisht bie në rrjetën e drejtësisë Erion Veliaj.
Minimalisht.
Unë nuk jam naiv, t’iu them këtu se nuk është Edi Rama prapa.
Patjetër është Edi Rama arkitekti i gjithçkaje, por Erion Veliaj është zbatuesi i një skenari dhe jo çuditërisht Edi Rama fliste dhe jepte mesazhe edhe për investitorët holandezë nga Holanda, na doli Erion veliaj këtu që shpall kandidaturën për mandatin e tretë dhe kur investitori më i madh holandez që kemi parë në këto vite të drejtimit të Qeverisë dhe Bashkisë së Tiranës është Klodian Zoto si holandez në këtë rast, në inceneratorin e Tiranës”, -tha Belind Këlliçi.