Ish-lojtari i Romës, Antonio Cassano, sulmoi Jose Mourinhon pas komenteve të “Special One”, në fundin e ndeshjes Torino-Roma. Në një paraqitje të radhës në “Bobo TV”, Cassano foli mbi stilin e lojës së Mourinhos dhe ndikimin e tij te Roma. “Shkova në Romë dhe kalova atje pesë vite të mrekullueshme, – tha ish-sulmuesi. – I kam bërë tifozët e Romës të çmenden dhe të argëtohen.
Njerëzit atje në Romë më duan. Shkoni dhe pyesni Tottin, De Rossin dhe Bruno Contin po nuk besuat. Mourinho mund të fitojë çfarë të dojë, por po e bën Romën të duket e pahijshme. Ai ka fituar të gjitha llojet e trofeve, por futbolli i tij ka qenë gjithmonë mizor. Mourinho duhet të kuptojë se është një trajner i dobët. Ai është një magjistar gjarpërinjsh me njerëz të paaftë që e rrethojnë.
Futbolli i tij është një gjë e së kaluarës, ai pati fatin të stërviste kampionë të mëdhenj. Nuk dua të fitoj asgjë, gjithmonë kam luajtur për të argëtuar tifozët. Kur shoh skuadrat e tij duke luajtur, më vjen turp që jam adhurues i këtij sporti. Pasi të vendosë të tërhiqet, askush nuk do të ketë nostalgji për të, do ta harrojnë të gjithë.
Do të lërë pas vetëm polemika, sepse nuk ka arritur të bëjë kampion asnjë lojtar. Ai ka ngelur pas 30 vite në stil loje dhe komunikim, në gjithçka. Të gjithë ata që i bëjnë pyetje kanë frikë nga ai, janë lëpirës, njerëz pa personalitet. Në Itali askush nuk kapet me të, por me mua nuk mund ta kalojë kështu. Mua nuk më intereson, le t’i fusë në b…thë ato trofe që i ka fituar”.