Buxheti 2023/ Manastirliu njofton rritjen e pagave për këtë sektor

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, në seancën dëgjimore në Komisionin për Punë, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë, tha se ka rritje të buxhetit në vitin 2023 për të dy sektorët, shëndetësi dhe mbrojtje sociale. Buxheti i shëndetësisë dhe mbrojtjes sociale për vitin 2023 parashikohet në vlerën 95,1 miliardë lekë dhe zë rreth 14% të totalit të shpenzimeve publike ose 4.5% të PBB-së. Ky buxhet është apo përllogaritët si 3,5% më i lartë se buxheti aktual apo 3,2 miliardë më shumë.

Për sa u përket të dy sektorëve të shëndetësisë dhe mbrojtjes sociale buxheti për shëndetësinë parashikohet në vlerën 64.5 miliardë lekë dhe për mbrojtjen sociale e për programet e saj 30,6 miliardë lekë. Në fjalën e saj Manastirliu tha se buxheti është dy herë më i lartë se ai në vitin 2013.

Ministrja Manastirliu tha se rritja e buxhetit do të shkojë për zgjerimin e shërbimeve falas dhe politika të reja sociale.

“Për sa i përket rritjes së buxhetit për vitin 2023 do t’i dedikohet rritjes së pagave për punonjësit e shëndetësisë duke filluar nga korriku i vitit 2023 do të ketë një rritje sërish me 6% për punonjësit e shëndetësisë. Duke krijuar premisa edhe për politika të reja, rritja e buxhetit për vitin 2023 shkon për zgjerimin e skemës së rimbursimit të barnave falas për qytetarët duke mundësuar më shumë trajtime dhe alternativa mjekimi për skemën e rimbursimit. Do të kemi një zgjerim për sa i përket skemës së rimbursimit të barnave falas duke mundësuar rritjen e buxhetit për skemë rimbursimi me 3.6%”, tha Manastirliu.

Buxheti i vitit 2023 do të mbështesë të gjitha kategoritë në nevojë me fokus të veçantë nënat kryefamiljare me mbi tre fëmijë.

“Për sa i përket mbrojtjes sociale do të përfshihet një politikë e re e dalë edhe nga nisma e Këshillimit Kombëtar për sa u përket nënave të papuna me mbi tre fëmijë të cilave do t’u subvencionohen nga shteti kontributet shoqërore dhe shëndetësore për 5 vitet e para të fëmijës me një fond të dedikuar prej 600 milionë lekësh në programet e mbrojtjes sociale. Gjithashtu do të vijojë mbështetja për sa i përket mbështetjes së programeve të ndihmës ekonomike, pagesave të paaftësisë dhe Fondit Social për ngritjen e shërbimeve sociale në territor”, tha Manastirliu.

Related posts

A mund të drejtojë Argita Malltezi PD-në?! Habit Bardhi me përgjigjen e tij

Mblidhet kryesia e PD, ja data kur do të mbahet protesta kombëtare

Deklarata e fortë e Spiropalit: Unë dhe treçereku i ministrave e deputetëve mund të mos jemi më në…