Mbretëria e Bashkuar bën lëshime duke i zgjatur kështu dorën e bashkëpunimit Bashkimit Europian.
Londra thotë se është e gatshme të heqë 3 klauzola kontroverse nga ligji për tregun e brendshëm të Britanisë. Ky ligj është kritikuar ashpër nga zyrtarët e BE-së, pasi sipas tyre, shkel marrëveshjen për Brexit.
Michael Gove gjendet në Bruksel për bisedime me zyrtarët e Unionit, në përpjekjen e fundit për arritjen e një ujdie tregtare, pas Brexit.
Në një deklaratë, qeveria Britanike thotë se vendimi përfundimtar për këto negociata do të merret në ditët në vijim. Palët kanë kundërshti në tre çështje kyce: të drejtat e peshkimit, rregullat e konkurencës dhe mënyra e zbatimit të rregullave të dakordësuara.
Nëse një ujdi nuk arrihet, atëherë Britania dhe Bashkimi Europian do të vendosin taksa për shkëmbimet tregtare duke filluar nga janari.