Borrell: Marrëveshja Kosovë-Serbi çështje muajsh e jo vitesh

Marrëveshja përfundimtare Kosovë-Serbi është çështje muajsh e jo vitesh sipas përfaqësuesit të lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, nëse të dy palët janë konstruktive. Por analistët politikë në Kosovë, gjykojnë se diçka e tillë nuk pritet të ndodh në një periudhë të afërt kohore. Kërkesa e palës serbe që në Bruksel të diskutohet për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe dhe refuzimi i Qeverisë së Kosovës që të hapet kjo temë ka bërë që të ngecë procesi i dialogut.
“Unë personalisht besoj se arritja e marrëveshjes përfundimtare është çështje muajsh e jo vitesh, me kusht që të gjitha palët të angazhohen në mënyrë konstruktive. Ne nuk e shkruajmë paraprakisht se cila është zgjidhja. As nuk do të caktojmë afate artificiale për të përshpejtuar procesin. Ne mirëpresim të gjitha nismat në mbështetje të dialogut. Mirëpresim edhe angazhimin e SHBA-së, por është BE-ja ajo që e udhëheqë këtë proces”, tha Borrell.
Arbër Fetahu nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike thotë se marrëveshja përfundimtare brenda javësh do të ishte e mundur nëse do të kishte një bashkëpunim më substancial në mes të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian, që sipas tij do të kishte presion më të madh.
Sipas analistit Faton Abdullahu, një marrëveshje përfundimtare duhet të ndodh atëherë kur Bashkimi Evropian dhe Beogradi të njohin Kosovën shtet siç është me rregullimin e brendshëm çfarë e ka aktualisht.
Bashkimi Evropian ka rritur presionet lidhur me vazhdimin e dialogut dhe arritjen e një marrëveshje finale. Përfaqësuesi i Posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak në përfundim të vizitës së tij në Prishtinë ka deklaruar se nuk mund të ketë marrëveshje përfundimtare pa Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.

Related posts

I treti brenda dy ditëve! Ishulli grek goditet përsëri nga tërmeti, banorët në panik!

“Profecia” e asteroidit të Nostradamusit bëhet e vërtetë?! Ja çfarë thotë parashikuesi

Dhunoi barbarisht partneren se nuk pranonte ndarjen/ Gazetari i njohur e pëson keq