Profesori në Fakultetin e Shkencave Politike në Beograd, Ivo Viskoviq ka thënë se është befasuese që presidenti i SHBA-së, Joseph Biden e ka ngritur çështjen e Kosovës në bisedën e parë me Kancelaren gjermane, Angela Merkel.
Viskoviq beson se ngritja e çështjes së Kosovës në bisedën e parë të Bidenit me Merkelin tregon qëndrimin e Biden se duhet të arrihet një zgjidhje e detyrueshme për problemin Kosovë-Serbi.
“Kam frikë se kjo tregon qëndrimin e tij se kjo çështje duhet të zgjidhet përfundimisht dhe se Serbia duhet të pranojë një zgjidhje që i përshtatet Perëndimit dhe jo domosdoshmërisht vetë Serbisë”, tha Viskoviq.
Ai beson se në zgjidhjen e kësaj çështje, bashkësia ndërkombëtare do të ketë më shumë mirëkuptim për Kosovën sesa për interesat serbe.
“Nuk do të ketë askënd në Serbi për një kohë të gjatë që do të jetë i gatshëm të pranojë një akt të tillë me të cilin Serbia do ta pranonte pavarësinë e Kosovës, megjithëse, kam frikë, praktika do të jetë që situata faktike duhet të pranohet në mënyrë që jeta të vazhdojë normalisht”, tha Viskoviq.
Siç thotë ai, shembulli i Britanisë së Madhe dhe Spanjës në mosmarrëveshjen mbi Gjibraltarin, që ka zgjatur për katër shekuj, duhet gjithashtu të merret parasysh.
“Spanjollët nuk e pranuan kurrë se ishte territor britanik, por ata madje nuk e kontrolluan atë për 400 vjet, dhe shumë spanjollë nga zona përreth shkojnë atje për të punuar dhe jetuar prej tij”, tha Viskoviq.