Shorti i Conference League ka vendosur Vllazninë përballë BFC Daugavpils në turin e parë të këtij kompeticioni. Ndeshja e parë do të zhvillohet në Shqipëri dhe e dyta në Letoni, por me sa duket, asnjëra në qytetin e skuadrave përkatëse.
Vllaznia është në luftë të hapur me Bashkinë për administrimin e stadiumit në Shkodër dhe evenimentet që zhvillohen në terrenin e “Loro Boriçit”. Si rrjedhojë, shkodranët kanë shqyrtuar mundësinë që të luajnë ndeshjet e tyre europiane në “Niko Dovana” të Durrësit.
Por edhe kundërshtari i klubit shkodran BFC Daugavpils ka probleme me stadiumin “Celtnieks” në Dougavpils, pasi ai nuk plotëson standardet e kërkuara nga UEFA. Kësisoj, ndeshja me shkodranët është zhvendosur në kompleksin privat “LNK Sporta Parks” në Riga, në qytet tjetër, pasi ai plotëson standardet minimale që kërkon UEFA për kompeticionet e saj.
Vllaznia do të përballet me letonezët e BFC Daugavpils, të cilët në këtë edicion bëjnë debutimin e tyre ndërkombëtar. Skuadra letoneze ka pak histori suksesi në vendin e vet, pasi ka qenë për shumë vite në kategoritë e ulëta, para se të ngjitej në elitë, por pa arritur objektiva ambiciozë.