Përballja mes Besës dhe Lushnjës, e vlefshme për javën e 30-të të Kategorisë së Parë, pritet të jetë një nga sfidat më të nxehta të fundjavës, me peshë të madhe si për zonën “play off”, ashtu edhe për mbijetesën. Të dy skuadrat vijnë në këtë duel me moral të lartë pas fitoreve respektive. Besa triumfoi në Gjirokastër ndaj Luftëtarit, një sukses që e futi në zonën “play off”, duke i dhënë një shtysë të fortë ambicieve për ngjitje.
Nga ana tjetër, Lushnja iu rikthye fitores pas plot 77 ditësh, duke mposhtur Korabin dhe duke ringjallur shpresat për mbijetesë. Verdhezinjtë e Besës synojnë të ruajnë me çdo kusht vendin në “play off”, ndërsa lushnjarët kanë nevojë jetike për pikë për t’u larguar nga zona e rrezikut. Aktualisht, Lushnja renditet në vendin e 11-të me 25 pikë, vetëm një më pak se Apolonia e vendit të 10-të. Në krahun tjetër, Besa mban vendin e gjashtë me 34 pikë, vetëm një pikë mbi Burrelin që e ndjek nga pas.
Megjithatë, nëse në letër Besa duket favorite, realiteti në kampin kavajas është më i ndërlikuar. Skuadra do të zbresë në fushë me mungesa shumë të rëndësishme, që mund të ndikojnë drejtpërdrejt në fatin e ndeshjes. Trajneri Gugash Magani nuk do të jetë në stol, pasi u ndëshkua me karton të kuq në sfidën ndaj Luftëtarit. Por problemet nuk ndalen këtu, dy sulmuesit kryesorë, Ermir Spahiu dhe Godsuill Çinuendu, do të mungojnë gjithashtu. Spahiu u ndëshkua gjatë ndeshjes në Gjirokastër, ndërsa rasti i Çinuendut ka bërë më shumë bujë. Sulmuesi nigerian, autor i dy golave në atë sfidë, u ndëshkua për një festim të papërshtatshëm ndaj tifozëve dhe pankinës kundërshtare. Për këtë gjest antisportiv, ai është pezulluar me katër ndeshje nga Komisioni i Disiplinës, çka praktikisht e mbyll sezonin e rregullt për të dhe e lë në dispozicion vetëm në rast se Besa arrin “play off”-in.