Java e 27-të e gjen Besën sërish në udhëtim, ndonëse është pritëse. Sipas kalendarit, kavajasit presin Lushnjën, por, duke ditur problemtikën e stadiumit, Besa është e detyruar që këtë sfidë ta luajë në kryeqytet, pikërisht në “Arenën e Demave”.
Takimi do të luhet të dielën, në orën 13:00, një orë më herët se ndeshjet e tjera të kësaj kategorie. Edhe më herët Besa ka luajtur në stadiumin e Partizanit, ku për herë të fundit mundi Kukësin në shifrat 2-1.
STADIUMI I BESËS
Më datë 13 shtator të vitit 2024 nisi shembja e tribunës kryesore të stadiumit “Besa” të Kavajës. Prej më shumë se dhjetë vitesh impianti që është edhe me sistem ndriçimi është në një gjendje për të ardhur keq, ndërsa pushteti lokal po ndërhyn për ta rikthyer në gjendje funksionale. Ky është një realizim i Bashkisë Kavajë, teksa më shumë se një vit më parë edhe kryeministri Edi Rama premtoi se do kishte ndërhyrje,por fakti është se edhe këtë sezon ekipi i Besës që kryeson Kategorinë e Parë i luan ndeshjet jashtë qytetit, një gjendje që ndodh prej shumë vitesh.
Veç tribunës, stadiumi i Besës në Kavajë ka nevojë edhe për fushën e re dhe sistemimin e tribunave të tjera, si edhe ndërtimin nga e para të gjithë infrastrukturës.
“Nëse doni ta ktheni Kavajën pas, do shembim edhe stadiumin se ky është i kategorisë “DS 5”. Nëse na jepni mundësinë ta ndërtojmë, do e bëjmë sa të na e jepni. Do nisim menjëherë projektin. Stadiumin e Kavajës mund ta bëjmë’, tha Edi Rama disa vite më parë