Kryetari i PD-së, Sali Berisha, u shpreh se opozita solidarizohet me grevën që pedagogët kanë njoftuar ditën e nesërme.
Gjatë fjalës së tij në mbledhjen e grupit parlamentar, Berisha u shpreh se ditën e nesermë opozita do të ketë në krye të axhendës sulmin që Rama po i bën trupës universitare.
“Ne duhet të bëjmë gjithçka për të mbrojtur elitën kombëtare, e cila është nën një sulm amoral të paimagjinueshëm. Lëvizja e tyre është sindikaliste dhe ne mbështesim çdo kauzë të drejtë. Po të ishte lëvizje e jona do e thoshim me krenari. Ajo është lëvizje e sindikatave. U them socialistëve aty që ne do mbështesim çdo kauzë të drejtë. Universitetet janë pasuri kombëtare, nuk janë sarajet e Surrelit. Nesër Parlamenti ka axhendën e vet, por kryeaxhendë duhet të jetë mbrojtja e elitës universitare dhe denoncimi i këtij sulmi të shpëlarë ndaj tyre. Nuk e imagjinoni dot se çfarë ndërhyrjesh terrori bëhen për t’i përçarë. Nesër ata kanë thirrur grevë të përgjithshme. Ne solidarizohemi plotësisht dhe e mbështesim këtë grevë”, tha Berisha.
Sakaq, Berisha vijoi duke thënë se “sot kam takim me kryetarët e degëve të Tiranës me të cilët 2 janë çështjet që diskutojmë: Primaret dhe protestën. Sindikatat kanë protestën e tyre, ne do të mbushim rrugët. Nuk mund të vazhdojmë kështu kur shohim shqiptarët çdo ditë që përzihen nga vendi i tyre”.