Berat Gjimshiti ishte dje në fushë për Atalantën gjatë fitores me Bolognian në Serinë A. Berat Gjimshiti po zhvillon një sezon shumë të mirë, ndërsa ai ka dhënë një intervistë në podkastin e Heidi Lushtakut, që është edhe bashkëshortja e Merih Demiral, ish-shokut të skuadrës së mbrojtësit.
Në 2015 keni zgjedhur që të përfaqësoni Shqipërinë, duke u tërhequr nga Zvicra, cili ka qenë motivimi që fshihet pas kësaj?
Ka kaluar pak kohë nga ai moment, por motivimi më i madh ka qenë babai im. Ai ka këmbëngulur dhe më ka shtyrë që të luaja për Shqipërinë. Unë i kam kaluar të gjitha grupmoshat me Zvicrën, sepse kam lindur atje dhe pastaj ka qenë ai momenti kyç nëse do të prisja për Zvicrën apo do të luaja për Shqipërinë. Në atë moment e mbaj mend ka qenë trajneri De Biazi në kualifikimet për Europianin. Më ka thirrur në telefon dhe më ka pyetur nëse do t’i bashkohesha Shqipërisë. Sigurisht që doja dhe ka qenë një vendosje e shpejtë dhe jam shumë krenar për këtë zgjedhje.
Ju luajtët mirë në kualifikuese, por nuk u thirrët në Europian, si u ndjetë në ato momente?
Sigurisht që në atë moment kam qenë i mërzitur sepse është ëndrra e çdo futbollisti që të luajë në Europian. Unë shënova në Armeni dhe ka qenë një pritje e gjatë që jem në atë turne. U mërzita kur erdhi ai mesazh që nuk je pjesë, por pas një apo dy javësh, mërzinë e kam kthyer në forcë për të bërë më shumë. Të luftoja më tepër dhe t’iu tregoja atyre se bënë gabim që nuk më morën. Ia dola vitin e kaluar në Europianin e Gjermanisë.
Berat, kemi kualifikueset e Botërorit këtë verë. Është një ndeshje në Shqipëri dhe një në Serbi. Ne e dimë që ka pasur një sulm në 2014-n kur lojtarët tanë shkuan në Beograd. E mendoni se mund të kemi ndonjë rrezik për një rast të ngjashëm?
Shpresoj që jo. Ne luajmë futboll dhe nuk duhet të përzihemi me politikën. Futbolli është diçka që ndiqet më shumë në të gjithë botën. Sa i përket asaj ndeshje, kur ka qenë shorti i grupeve, nuk kam qenë i lumtur sepse më janë kujtuar ato që kanë ndodhur në 2014-n. Sigurisht që kam menduar: Jo, jo, mos prapë! Por, tani që ka kaluar edhe kohë, është zhvilluar edhe futbolli në Shqipëri dhe tifozët mezi e presin atë ndeshje, por nuk do të jetë ndonjë rrezik. Do të merren masat dhe do të luajmë vetëm futboll. Shpresojmë!
A ke pasur ndonjëherë ndonjë ndjenjë të ndaluar, sepse origjina e gruas tënde është nga Serbia?
Po, sigurisht që po. Sidomos në fillim. Kur jemi takuar herën e parë sepse ajo është lindur në Zvicër, si edhe unë, nëpërmjet rrethit shoqëror. Fillimisht ishte një shoqëri e mirë dhe pastaj u zhvilluar në dashuri. Në ato momente nuk e kam pasur për veten këtë dashurinë e ndaluar, por më shumë e kam pasur për prindërit e mi. Ka qenë ajo frika më e madhe, por me kalimin e kohës ata kanë njohur gruan time dhe tani jemi bërë një familje e madhe. Ato bisedat politike, jo shqiptar, jo serb, nuk janë pjesë jona. Mendojmë vetëm për dashurinë qe kemi për njëri-tjetrin.
A e kanë pranuar menjëherë martesën familjarët?
Por, menjëherë me thënë të drejtën jo, sepse ata kanë menduar se isha shumë i ri. Vetëm 18 vjeç, shoqëri dhe nuk është diçka serioze, por pas disa muajve u kam thënë që është serioze dhe e dua shumë. Pastaj e kanë njohur më mirë dhe e kanë pranuar ashtu siç është. Prapëseprapë, në dashuri nuk ka vend për këto gjëra dhe ajo ka qenë forca që e kemi përballuar, edhe pse ka pasur komente negative. Në fillim jam më kanë lënduar pak, pastaj jam forcuar dhe nuk më bënin përshtypje.
Një futbollist detyrohet që të mos ketë shumë kohë për familjen, ke fëmijë, gruaja, a ka pasur ndonjë moment gjatë karrierës kur keni menduar që të tërhiqesh nga futbolli?
Për t’u tërhequr jo. Por, sigurisht që sakrifica më e madhe për ne është familje. Momentet me familjen shpeshherë edhe i humb. Gocën që është 18 muaj dhe ka filluar për herë të parë të ecë, unë nuk e kam parë. Janë gjëra të bukura që nuk i përjeton dot. Nuk je në shtëpi, por më shumë je në hotele. Njerëzit nga jashtë nuk e shohin. Thonë që ju merrni gjithë ato para dhe nuk mund të ankoheni.” Përfundoi Berat Gjimshiti.