Basha: “Kupa është mbushur dhe është derdhur. Mjaft është mjaft!”

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha zhvilloi një bisedë me studentët e Universitetit Bujqësor të Tiranës, ku deklaroi se sfida më e madhe e qeverisë së ardhshme do të jetë kthimi i potencialit të rinisë në një mundësi punësimi dhe zhvillimi për vendin.

Duke folur për zhvillimet ekonomike dhe situatën në vend, Basha u shpreh se “kupa është mbushur dhe është derdhur. Mjaft është mjaft!”.

Basha tha se një nga sfidat e tij do të jetë frenimi i largimit masiv të të rinjve. “Gjëja e parë që duhet të bëjmë është që këtë kapacitet të jashtëzakonshëm ta përthithim, ta bëjmë pjesë të planit të zhvillimit të vendit, në mënyrë që mos të na largohet drejt vendeve të tjera. Është detyra e qeverisë ta ndalë këtë katastrofë kombëtare të largimit dhe ky është prioriteti kryesor që ne kemi. Gjithë këtë potencial të madh të rinisë shqiptare ta vendosim në funksion të objektivit tonë kryesor që është zhvillimi ekonomik, ulja e papunësisë dhe hapja e vendeve të reja të punës”, tha Basha.

Ky i fundit u ndal edhe tek investimet në bujqësi dhe blegtori. Ai tha se këto dy sektorë do të jenë prioritet dhe se do të jetë detyrë kryesore zhvillimi i këtyre dy sektorëve, që ai i cilësoi me potencial të jashtëzakonshëm. “Subvencione reale, mbështetje reale për fermerët, 100 milionë euro në vit, ky është plani ynë dhe këtu hyn dhe digjitalizimi sepse ne duam të shmangim çdo hallkë të korruptuar të drejtorive rajonale bujqësore që kërkojnë rryshfetin përpara se të japin subvencionin. Potenciali i jashtëzakonshëm, mahnitës i Shqipërisë por dhe i fermerit shqiptar, mbështetja e drejtpërdrejtë nga qeveria me fonde buxhetore por dhe me investime në infrastrukturë dhe në vetvete ky treg, krijon jo thjesht mundësi por një kërkesë, një etje për trurin, për profesionistët, për specialistët në menaxhimin e drejtpërdrejtë të bujqësisë dhe blegtorisë dhe në menaxhimin e çdo degë dhe sektori tjetër të ekonomisë që është i lidhur me të”, deklaroi Basha.

Related posts

Monedhat e huaja pësojnë rënie/ Këmbimi valutor për ditën e sotme, 4 korrik 2024

“5 milionë lekë, për ty 4! Emiljano: Shumë e ka!”/ Përgjimet në dosjen Onkologjikut! Ja pazari që bëhej për pacientët me kancer

Monedhat e huaja në “krizë”/ Kursi i këmbimit për sot, 23 qershor 2024