Banorët e Bërxullës sërish në protestë, tokat e tyre preken nga projekti i rrugës Thumanë-Kashar

Banorët e Bërxullës kanë dalë sërish në protestë këtë të dielë, pasi tokat e tyre preken nga projekti i rrugës Thumanë-Kashar. Kjo është e disata herë që banorët e kësaj zone protestojnë. Ata nuk bien dakord me çmimin që u ofrohet për të kompensuar pronën e tyre.

Kryesisht janë gra dhe të moshuara që janë ulur në mes të rrugës, të cilat po protestojnë dhe kërkojnë ardhjen e përfaqësuesve të shtetit për zgjidhjen e problematikave të tyre.

Një banor është shprehur për mediat: “Nuk e dimë ku do përfundojnë fëmijët tanë nesër, u merret prona e shtëpia dhe shteti rri indiferent. Sot që jemi në ditën e 150-të protestës na vjen një informacion. Na vjen që nuk kanë arritur akoma në përfundimin për vlerën e pronës tonë. Ligji e parashikon, një vit para projektit duhet bërë inventarizimi i pronave dhe të dalë çmimi i pronës. Shteti nuk ka dëshirë për ta zgjidhur çështjen që është shumë e thjeshtë.

Ne e kemi paraqitur vlerën e një pronë të shitur në dalë 31 tetor 2022, me një vlerë rreth 50 euro për metër katror. Ky shtet ose nuk do ta vendosë ujin në zjarr dhe kërkon të na vrasë për së gjalli ose kërkon të luajë si macja me miun duke testuar nervat tona. Kemi 5 muaj që bëjmë thirrje, të vijnë e të ulen në negociata me ne. Nervat tona nuk mbajnë më. Ne po sillemi në mënyrë shumë të qytetëruar. Do kemi forma më ekstreme proteste, ua kemi treguar se dimë t’i bëjmë të gjitha. I kemi bërë gjërat shumë të kontrolluara”.

Related posts

Monedhat e huaja thellojnë rënien/ Kursi i këmbimit për ditën e sotme, 27 shtator 2024

Luhatje të papërfillshme në monedhat e huaja/ Kursi i këmbimit, 22 gusht 2024

Monedhat e huaja në rënie/ Kursi i këmbimit për sot, 24 korrik 2024