Kartona, nerv e 90 minuta intensitet. Derbi mes Tiranës dhe Partizanit përfundon me rezultatin 2-1, duke lënë të pakënaqur bardheblutë që munden në frymën e fundit. Pas ndeshjes, trajneri i Partizanit Orges Shehi u shpreh i kënaqur dhe se këtë sukses ia dedikon presidentit të klubit, Gaz Demi për shkak se babai i tij nuk po kalon një situatë të mirë shëndetësore.
“Është një fitore e rëndësishme. Fitore përballë një rivali historik. Për mua më të rëndësishëm janë ata që janë në stol se sa ata që e nisin nga fillimi. Kur ndërrimet bëhen shpejt për çështje dëmtimesh, çekuilibrohesh. Mendoj që kemi fituar një ndeshje të dominuar. Fitorja është për të gjithë tifozët, por në veçanti për presidentin tonë.
Babai i tij është në një gjendje kritike, kështu që këtë fitore ia dedikoj atij. Ka qenë periudhë që asnjëherë nuk kemi qenë të plotë. Vetëm në Rrogozhinë. Kur ke kontigjent të plotë, nuk ke dyshime dhe kërkon të implementosh atë që ti kërkon. Jam i kënaqur me atë që skuadra po jep. Po e kuptojnë që është fazë e rëndësishme dhe po tregojnë karakter dhe uri për fitore. Maget është lojtari jonë pothuajse më i rëndësishëm. Kur ke performanca të tilla ofertat janë të pranishme. Por ne nuk prishim çdo gjë për të transferuar lojtarët. Mbetet për t’u parë”.