“As emrin nuk jepte”/ Specialisti i trafikut urban tregon kontaktin e parë me shoferin e autobusit që shkaktoi aksidentin masiv

Shoferi i autobusit të unazës i cili një ditë më parë shkaktoi aksidentin masiv në kryeqytet, ku mbetën të plagosur 9 persona, u arrestua mbrëmjen e së hënës. Për autoritetet hetimore është e qartë se ai ishte në shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor.

Pamjet filmike nga kënde të ndryshme, tregojnë se shoferi Agron Xhafa devijon nga rruga e tij dhe merr para makinat e tjera. Por momentalisht mbeten ende të paqarta shkaqet që e çuan 63-vjeçarin që të humbte kontrollin e mjetit. Vetë ai është shprehur se nuk ka qenë i vetëdijshëm. Shoferi pretendon se vuan nga zemra e diabeti dhe në momentin e aksidentit ka pasur gjendje të fikëti.

I ftuar në studion e Klan News, specialisti i trafikut urban, Gerhard Baka tha se aktualisht “grupi hetimor po analizon të gjitha provat e nevojshme për të dalë në një konkluzion nëse kemi të bëjmë me një humbje të vetëdijes, gjendjes psikofizike të drejtuesit të mjetit, apo kemi të bëjmë me një anomali teknike të automjetit”.

Baka tregon se ishte ai personi i parë që pati kontakt me shoferin e autobusit. Specialisti i policisë shprehet se 63-vjeçari ishte në gjendje shoku, aq sa nuk ishte në gjendje t’i jepte emrin e tij dhe se u kthjellua pasi kishte mbërritur në spital.

“Unë mund t’ju konfirmoj që duke qenë se kam mbërritur shumë shpejt në vendngjarje dhe kam marrë kontakt me drejtuesin e mjetit, mund t’ju konfirmoj që në momentin e parë që kam marrë kontakt, kam konstatuar që ai ka qenë në një shok post-traumatik si pasojë e aksidentit, ku zotëria në fjalë nuk komunikonte, nuk jepte as gjeneralitetet e emrit të vet kur e intervistoja, nuk më jepte as a kishte nevojë për ndihmë mjekësore apo jo. Pra le të themi që ishte në një shok total dhe këtë e kam konstatuar vetë, deri në momentin që kemi bërë të mundur transportimin në ambientet e spitalit, ku aty më vonë është qartësuar, kthjelluar dhe ka filluar të sqarojë rrethanat për aq sa ai mbante mend.

Related posts

Shoqërohen në polici përfaqësues të degës së PD-së në Elbasan (EMRAT)

Monedhat e huaja thellojnë rënien/ Kursi i këmbimit për ditën e sotme, 27 shtator 2024

Luhatje të papërfillshme në monedhat e huaja/ Kursi i këmbimit, 22 gusht 2024