Një incident i tensionuar është regjistruar në fundjavë në sfidën mes Lushnjes dhe Luftëtarit, mbyllur në barazim 0-0, ku në qendër të vëmendjes përfunduan trajneri Artan Bano dhe kapiteni Mikel Canka.
Situata shpërtheu në minutën e 63-të të takimit, kur Artan Bano vendosi të zëvendësonte kapitenin e skuadrës. Vendimi nuk u prit aspak mirë nga Canka, i cili reagoi ashpër ndaj trajnerit. Futbollisti shpërtheu me ofendime në drejtim të pankinës dhe, i irrituar, u largua menjëherë drejt dhomave të zhveshjes pa u ulur me pjesën tjetër të ekipit.
Nga ana tjetër, trajneri Bano tentoi të qetësonte situatën duke iu drejtuar kapitenit me fjalët: “Je 40-vjeç, mos i bëj këto skena.” Episodi krijoi tension në stol dhe nuk kaloi pa u vënë re nga tifozët dhe stafi i skuadrës.
Takimi mes Lushnjës dhe Luftëtarit përfundoi pa gola 0-0, një rezultat që nuk i shërben aspak verdhejeshilëve. Skuadra lushnjare vijon serinë negative pa fitore prej disa javësh dhe tashmë rrezikon seriozisht rënien një kategori më poshtë.
Pas përfundimit të ndeshjes, trajneri Bano nuk u paraqit në intervistën e zakonshme për mediat, ndërsa mbetet për t’u parë nëse klubi do të reagojë zyrtarisht për incidentin mes teknikut dhe kapitenit të ekipit.